Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka emëruar kreun e inteligjencës ushtarake, gjeneralin Kyrylo Budanov, si Shef të ri të kabinetit të tij, duke zëvendësuar në këtë detyrë Andriy Yermak-un, i cili u detyrua të japë dorëheqjen në nëntor për shkak të përfshirjes në një skandal korrupsioni.
Yermak kishte shërbyer gjithashtu si negociatori kryesor i paqes për Kievin, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Vendimi i Zelensky-t vjen në një moment delikat, teksa Ukraina përballet me sfida të mëdha në fushën e sigurisë dhe në bisedimet diplomatike për përfundimin e luftës me Rusinë.
“Ukraina ka nevojë për më shumë fokus tek çështjet e sigurisë, zhvillimi i forcave të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe përparimi në rrugën diplomatike të negociatave,” deklaroi Zelensky në rrjetet sociale.
Ai shtoi se Budanov “ka përvojë të specializuar në këto fusha dhe forcën e mjaftueshme për të sjellë rezultate.”
Budanov, 39 vjeç, është një nga gjeneralët e profilit të lartë të vendit dhe shihet nga analistët si një rival i mundshëm politik i Zelensky-t nëse mbahen zgjedhje pas një armëpushimi me Moskën.
Emërimi i tij në një rol politik ka potencial të komplikojë çdo kandidim të ardhshëm për presidencën.
Zelensky ka ngarkuar Budanov-in që, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, të përditësojë dhe të paraqesë për miratim bazat strategjike të mbrojtjes dhe zhvillimit të shtetit, si dhe hapat e mëtejshëm në këtë drejtim.