Të mbijetuarit e zjarrit katastrofik që përfshiu një bar dhe klub nate luksoz në qendrën zvicerane të skijimit Crans-Montana po trajtohen në njësi të specializuara për djegie në mbarë Evropën, ndërsa hetuesit thonë se shumë prej viktimave janë djegur aq rëndë sa identifikimi i tyre mund të zgjasë ditë apo edhe javë.
Rreth 40 persona humbën jetën dhe 119 të tjerë u plagosën kur flakët shpërthyen gjatë festimeve të Vitit të Ri në barin dhe klubin e mbushur “Le Constellation”. Hetuesit dyshojnë se fishekzjarrët të vendosur mbi shishe shampanje dhe të afruar shumë pranë tavanit, kanë shkaktuar zjarrin, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.
Kryetari i bashkisë së Crans-Montana-s, Nicolas Féraud, tha se “objektivi i parë është t’u vihet emër të gjitha trupave”.
Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, e quajti zjarrin “një katastrofë me përmasa të paprecedenta dhe tronditëse”, duke theksuar pasojat shkatërruese. “Pas këtyre shifrave fshihen fytyra, emra, familje dhe jetë të ndërprera brutalisht, të ndryshuara përgjithmonë,” deklaroi ai në një konferencë për shtyp.
Autoritetet zvicerane thanë se puna për identifikimin e viktimave është veçanërisht e vështirë për shkak të shkallës së rëndë të djegieve. Prindër të të rinjve të zhdukur kanë bërë thirrje publike për informacion, ndërsa ambasadat e huaja po përpiqen të përcaktojnë nëse shtetasit e tyre janë prekur nga një prej tragjedive më të rënda në Zvicrën moderne.
Kreu i qeverisë së kantonit Valais, Mathias Reynard, tha se ekspertët po përdorin të dhëna dentare dhe mostra ADN-je për identifikim. “Kjo punë është e domosdoshme, sepse informacioni është jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe asgjë nuk mund t’u thuhet familjeve pa qenë 100% të sigurt,” theksoi ai.
Pavarësisht se Zvicra ka një nga sistemet shëndetësore më të avancuara në botë, klinikat rajonale arritën shpejt kapacitetin maksimal në orët pas zjarrit. Më shumë se 30 persona u dërguan në spitale me njësi të specializuara për djegie në Cyrih dhe Lozanë, ndërsa gjashtë të tjerë u transferuan në Gjenevë.
Shumë prej të plagosurve u dërguan për trajtim edhe në vende të tjera, përfshirë Belgjikën, Francën, Poloninë dhe Gjermaninë. Bashkimi Evropian njoftoi se ka qenë në kontakt me autoritetet zvicerane për të ofruar ndihmë mjekësore.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha në rrjetin X se Franca ka ofruar ndihmë, ndërsa klinika në Paris dhe Lion kanë pranuar pacientë. Edhe Suedia dhe Maqedonia e Veriut njoftuan se kanë vënë në dispozicion shtretër spitalorë.
Shefi i policisë së kantonit Valais, Frédéric Gisler, tha se nga 119 të plagosurit, 113 janë identifikuar zyrtarisht, ndërsa gjashtë mbeten ende të paidentifikuar.
Mes të plagosurve janë 71 shtetas zviceranë, 14 francezë, 11 italianë, katër serbë, si dhe nga një shtetas nga Bosnja, Belgjika, Luksemburgu, Polonia dhe Portugalia. Kombësia e 14 të plagosurve ende nuk është konfirmuar.
Italia dhe Franca janë ndër vendet që kanë njoftuar se disa nga shtetasit e tyre rezultojnë të zhdukur, ndërsa Australia konfirmoi se një shtetas i saj është plagosur.
Tragjedia në Crans-Montana: Familjet në ankth për të rinjtë e zhdukur