SHBA kërcënon me ndërhyrje të re ushtarake në Venezuelë pas rrëzimit të Maduros

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po rrit presionin ndaj udhëheqjes së përkohshme të Venezuelës, duke sinjalizuar se një tjetër operacion ushtarak mund të jetë në tryezë nëse autoritetet e reja nuk bashkëpunojnë me Uashingtonin.

Sipas burimeve të njohura me strategjinë amerikane, qëllimi është të frikësohet rrethi i brendshëm i ish-presidentit Nicolas Maduro dhe të detyrohet të ndjekë vijën e SHBA-së, pas largimit të tij nga pushteti, shkruan Reuters.

Duke folur për gazetarët në bordin e Air Force One, Trump deklaroi se ndërhyrja ushtarake mbetet një opsion real. “Nëse nuk sillen siç duhet, do të bëjmë një goditje të dytë”, tha ai, duke lënë të hapur mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në terren, në varësi të veprimeve të qeverisë së përkohshme të udhëhequr nga Delcy Rodriguez.

Sipas burimeve, këshilltarët e Trump besojnë se mund të punojnë prapa skenave me Rodriguez, e cila shihet si një teknokrate pragmatike, e aftë të bashkëpunojë për një tranzicion politik dhe për çështje kyçe që lidhen me industrinë e naftës.

Trump ka kërkuar “akses të plotë” për SHBA-në dhe kompanitë private në infrastrukturën energjetike të Venezuelës, si dhe në rrjetin rrugor dhe urat e dëmtuara të vendit.

Presidenti amerikan paralajmëroi se mosbashkëpunimi do të sillte pasoja të rënda, duke thënë se Rodriguez mund të përballet me “një situatë ndoshta më të keqe se Maduro”.

Ish-presidenti venezuelian, i kapur gjatë fundjavës nga forcat speciale amerikane, ndodhet tashmë në një qendër paraburgimi në Nju Jork dhe pritet të paraqitet të hënën para gjykatës për akuza që lidhen me trafikun e drogës.

Megjithatë, situata mbetet e paqëndrueshme. Dy figura kyçe të regjimit të mëparshëm, ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino dhe ministri i Brendshëm Diosdado Cabello, të dy me shpërblime milionëshe amerikane për kapjen e tyre, vazhdojnë të kenë ndikim të madh mbi ushtrinë dhe aparatin e sigurisë, duke u konsideruar si pengesë potenciale për çdo marrëveshje me SHBA-në.

Administrata Trump po mbështetet në një kombinim presioni ushtarak dhe ekonomik, përfshirë praninë e shtuar ushtarake pranë brigjeve të Venezuelës, kërcënimin e sulmeve ajrore dhe mbajtjen në fuqi të një “karantine” mbi eksportet e naftës, burimi kryesor financiar i vendit.

Sipas burimeve, dëmtimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore nga sulmet amerikane i ka bërë udhëheqësit e mbetur të ndihen veçanërisht të cenueshëm.

Nga ana tjetër, autoritetet venezueliane kanë reaguar. Ata e kanë quajtur kapjen e Maduros dhe bashkëshortes së tij Cilia Flores një “rrëmbim” dhe kanë akuzuar SHBA-në se synon të vjedhë rezervat e mëdha të naftës së vendit. Delcy Rodriguez, e cila njëkohësisht mban postin e ministres së Naftës, ka marrë drejtimin e përkohshëm me bekimin e gjykatës së lartë, por ka deklaruar publikisht se Maduro mbetet president legjitim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka minimizuar deklaratat publike të Karakasit, duke theksuar se Uashingtoni do të gjykojë mbi bazën e veprimeve, jo fjalëve.

Ndërkohë, Trump ka shmangur çdo referencë të qartë për rikthimin e demokracisë në Venezuelë, duke zhgënjyer opozitën dhe duke u fokusuar më shumë në shfrytëzimin e burimeve energjetike.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika