Administrata Trump pezullon mbështetjen për 66 organizata ndërkombëtare

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur të tërhiqet nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë agjencinë e OKB-së për popullsinë dhe traktatin e Kombeve të Bashkuara që vendos bazat e negociatave ndërkombëtare për klimën, duke shënuar një tjetër hap të fortë të Shteteve të Bashkuara drejt largimit nga bashkëpunimi global.

Presidenti Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që pezullon mbështetjen amerikane për 66 organizata, agjenci dhe komisione ndërkombëtare, pas udhëzimit të tij për rishikimin e pjesëmarrjes dhe financimit të SHBA-së në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë ato të lidhura me Kombet e Bashkuara, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate në rrjetet sociale, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Sipas një liste të pjesshme të siguruar nga Associated Press, shumica e institucioneve nga të cilat SHBA po tërhiqet janë agjenci, komisione dhe panele këshilluese të OKB-së që merren me çështje të klimës, punës dhe tema të tjera, të cilat administrata Trump i ka cilësuar si të lidhura me iniciativa për diversitet dhe atë që e quan “agjendë woke”.

Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se administrata ka konstatuar se këto institucione janë “të përsëritura në funksion, të keqmenaxhuara, të panevojshme, shpërdoruese, të drejtuara dobët, të kapura nga interesa që shtyjnë agjenda në kundërshtim me interesat tona, ose përbëjnë kërcënim për sovranitetin, liritë dhe prosperitetin e përgjithshëm të vendit”.

Vendimi i Trump për t’u tërhequr nga organizata që synojnë bashkëpunimin mes shteteve për përballimin e sfidave globale vjen në një kohë kur administrata e tij ka ndërmarrë veprime ushtarake ose ka lëshuar paralajmërime që kanë tronditur aleatë dhe kundërshtarë, përfshirë kapjen e liderit autokrat venezuelian Nicolás Maduro dhe deklaratat për një qëllim të mundshëm për të marrë kontrollin e Groenlandës.

Ky është kapitulli më i fundit në serinë e tërheqjeve amerikane nga institucionet globale. Administrata Trump më herët kishte pezulluar mbështetjen për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë UNRWA, Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe agjencinë kulturore UNESCO, duke ndjekur një qasje selektive në pagesën e kontributeve, ku SHBA zgjedh vetëm ato operacione dhe agjenci që, sipas administratës, përputhen me axhendën e presidentit.

“Çfarë po shohim është kristalizimi i qasjes amerikane ndaj multilateralizmit, që në thelb është ‘ose sipas kushteve tona, ose aspak’,” tha Daniel Forti, drejtues i çështjeve të OKB-së në International Crisis Group. “Është një vizion shumë i qartë për bashkëpunim ndërkombëtar vetëm sipas kushteve të Uashingtonit.”

Kjo qasje përbën një ndryshim të madh nga mënyra se si administratat e mëparshme amerikane, si republikane ashtu edhe demokrate, janë marrë me OKB-në, duke detyruar organizatën botërore – e cila tashmë po përballet me sfida të brendshme – të ndërmarrë shkurtime në staf dhe programe.

Shumë organizata joqeveritare të pavarura, disa prej të cilave bashkëpunojnë me OKB-në, kanë njoftuar mbylljen e projekteve, pasi administrata amerikane vitin e kaluar shkurtoi ndjeshëm ndihmën e jashtme përmes USAID.

Megjithatë, zyrtarë amerikanë, përfshirë vetë Trumpin, thonë se SHBA ende e sheh potencialin e OKB-së, por synon të përqendrojë paratë e taksapaguesve në zgjerimin e ndikimit amerikan në iniciativa kyçe ku ekziston konkurrencë me Kinën, si Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, Organizata Ndërkombëtare Detare dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës.

Ndër organizatat nga të cilat SHBA po largohet është edhe Konventa Kornizë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), një marrëveshje e vitit 1992 mes 198 vendeve për mbështetjen financiare të aktiviteteve kundër ndryshimeve klimatike në vendet në zhvillim dhe baza e Marrëveshjes së Parisit. Trump, i cili i ka quajtur ndryshimet klimatike një mashtrim, u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit menjëherë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.

Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike janë pas rritjes së ngjarjeve ekstreme vdekjeprurëse dhe me kosto të lartë, si përmbytjet, thatësirat, zjarret, reshjet intensive dhe valët e rrezikshme të të nxehtit. Ekspertët paralajmërojnë se tërheqja e SHBA-së mund të pengojë përpjekjet globale për uljen e emetimeve të gazrave serrë dhe t’u japë vendeve të tjera justifikim për të vonuar angazhimet e tyre.

Administrata Trump po ashtu ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me agjencinë e OKB-së për popullsinë, e cila ofron shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues në mbarë botën. Agjencia ka qenë prej kohësh objekt kritikash nga republikanët, të cilët e kanë akuzuar për përfshirje në praktika abortive të detyruara, akuza që një rishikim i Departamentit të Shtetit gjatë administratës Biden nuk i gjeti të mbështetura në fakte.

Organizata të tjera nga të cilat SHBA do të largohet përfshijnë Carbon Free Energy Compact, Universitetin e Kombeve të Bashkuara, Komitetin Ndërkombëtar Këshillues të Pambukut, Organizatën Ndërkombëtare të Drurit Tropikal, Partneritetin për Bashkëpunim Atlantik, Institutin Pan-Amerikan për Gjeografi dhe Histori, Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Kulturës si dhe Grupin Ndërkombëtar të Studimit të Plumbit dhe Zinkut.

Departamenti i Shtetit bëri të ditur se rishikime të tjera janë ende në proces.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika