Pjesë të mëdha të Australisë do të përballen të premten me kushte katastrofike për zjarre, ndërsa valë të fuqishme të të nxehtit pritet të përfshijnë pothuajse të gjithë vendin.
Autoritetet kanë shpallur valë të rënda deri ekstreme të të nxehtit në të gjitha shtetet dhe territoret e Australisë, me përjashtim të Queensland-it, ndërsa temperaturat e larta pritet të zgjasin për disa ditë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Shteti i Viktorias ka shpallur ndalim të plotë të zjarreve për të premten, pasi niveli i rrezikut nga zjarret do të klasifikohet si “katastrofik” – shkalla më e lartë e rrezikut. Si pasojë, rreth 450 shkolla dhe qendra të kujdesit për fëmijë do të mbyllen.
Një meteorolog i ka thënë BBC-së se kombinimi i valëve të të nxehtit dhe rrezikut të lartë nga zjarret mund të krijojë kushtet më “domethënëse” që nga zjarret shkatërruese të verës së zezë, të njohura si “Black Summer”.
Të enjten, zjarrfikësit luftuan me disa vatra zjarri në Viktoria dhe Uellsin e Ri Jugor (NSW). Sipas ABC-së, rreth një duzinë avionësh zjarrfikës u angazhuan për të shuar një zjarr të madh pranë qytetit Wodonga.
Melburni përjetoi të mërkurën ditën më të nxehtë të gjashtë viteve të fundit, me temperatura që arritën 40.9°C, ndërsa disa qytete bregdetare në Australinë Perëndimore shënuan deri në 49°C.
Në Uellsin e Ri Jugor, vala e të nxehtit pritet të kulmojë të shtunën, me Sidnein që mund të përballet me temperatura deri në 42°C. Ndërkohë, pjesë të Australisë Jugore dhe Australisë Perëndimore do të shënojnë temperatura mbi 40°C në ditët në vijim.
“E premtja do të jetë kulmi i vërtetë i kësaj vale të të nxehtit,” ka deklaruar për BBC-në Angus Hines nga Byroja e Meteorologjisë. Ai theksoi se dita do të jetë jashtëzakonisht e nxehtë për pothuajse të gjithë Australinë Jugore, Viktorian, pjesën më të madhe të Uellsit të Ri Jugor dhe disa zona të Tasmanisë.
Sipas tij, vala e parë e rëndësishme e të nxehtit këtë sezon për Melburnin dhe Adelaidën u regjistrua të mërkurën, ndërsa kushtet për zjarre do të përkeqësohen ndjeshëm të premten.
“Erërat po forcohen në të gjithë Viktorian dhe, të kombinuara me stuhi të mundshme me pak reshje shiu dhe rrufe të thata, rreziku nga zjarret do të arrijë nivele katastrofike në pjesët veriore të shtetit,” paralajmëroi Hines.
Ai shtoi se kjo situatë duket të jetë ngjarja më e rëndësishme shumëditore për Australinë juglindore të brendshme që nga viti 2019–2020, periudhë që shënoi sezonin më shkatërrues të zjarreve në historinë e vendit, ku humbën jetën dhjetëra persona dhe u dogjën mijëra hektarë tokë.
Autoritetet në Viktoria paralajmëruan se një nivel “katastrofik” i rrezikut nga zjarret nënkupton se zjarret mund të jenë të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme.
“Ne kemi nevojë që komuniteti të luajë rolin e tij përkrah shërbimeve të emergjencës për të mbrojtur jetët dhe pronat,” tha Komisioneri për Menaxhimin e Emergjencave në Viktoria, Tim Wiebusch.
“Përgatituni që tani dhe zbatoni planin tuaj të mbijetesës nga zjarret. Nëse ndodheni në një zonë me rrezik katastrofik, largohuni herët drejt një zone me rrezik më të ulët.”
Sistemi i vlerësimit të rrezikut nga zjarret në Australi ka katër nivele: katastrofik (më i larti), ekstrem, i lartë dhe i ulët. Një valë e të nxehtit shpallet kur temperaturat minimale dhe maksimale pritet të jenë jashtëzakonisht të larta për tre ditë ose më shumë.