Ministri në detyrë i Transportit, Hysen Durmishi, ka njoftuar qytetarët për gjendjen e rrugëve, pas kontrastit të temperaturave që ka shkaktuar ngrica.
Durmishi ka bërë të ditur se rrugët janë të mbuluara me ngrica, megjithatë ai ka njoftuar se gjatë gjithë natës kanë intervenuar në shumicën e rrugëve, njofton Dukagjini.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar edhe mbrëmë, për shkak të kontrastit të temperaturave, rrugët tona janë të mbuluara me ngrica. Gjatë gjithë natës kemi intervenuar në shumicën e rrugëve që janë në kompetencë të ministrisë. Edhe sot në mëngjes kemi vazhduar punën në pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Durmishi, mes tjerash, ka thënë se të gjitha rrugët janë të kalueshme, veçse ka apeluar për kujdes të shtuar.