Situata e krijuar nga reshjet e shiut në Mitrovicë të Jugut po vlerësohet se është drejt stabilizimit, falë intervenimit të shpejtë dhe të koordinuar të institucioneve komunale dhe shërbimeve emergjente.
Kështu ka bërë të ditur Komuna e Mitrovicës përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku janë publikuar edhe veprimet konkrete të ndërmarra nga Shtabi Emergjent.
Sipas njoftimit zyrtar, Komuna e Mitrovicës, përmes Shtabit Emergjent dhe në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe qytetarë vullnetmirë, ka realizuar një sërë masash për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga vërshimet e ditëve të fundit.
“Komuna e Mitrovicës, përmes Shtabit Emergjent dhe në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe qytetarë vullnetmirë, ka ndërmarrë një sërë veprimesh konkrete për menaxhimin e situatës së krijuar nga vërshimet e ditëve të fundit. Falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit të vazhdueshëm, situata është duke u stabilizuar dhe po shkon drejt normalizimit.
Informatat e plota të paraqitura nga Zëdhënësi i Komunës, z.Shkëlzen Haliti.
1. Intervenimi në lumenj
Është realizuar pastrimi i lumit Lushta në Vaganicë, në segmentet ku shtrati ishte më i ngushtë, si dhe është intervenuar edhe në lagjen Tjegullorja. Në lumin Sitnica janë ndërtuar mure mbrojtëse për të reduktuar depërtimin e ujit në zonat e banuara.
Po ashtu, në zonën kritike të rrugës së Liqenit Akumulues është hapur një kanal prej rëre për orientimin e ujit të grumbulluar drejt Liqenit Akumulues. Menaxhimi i duhur dhe me kohë i digave në Liqenin Akumulues ka parandaluar vërshimet nga lumi Ibër.
2. Evakuimi dhe strehimi i familjeve të prekura
Janë evakuuar mbi 24 familje nga lagjet 2 Korriku, te Hekurudha dhe Tjegullorja, me angazhimin e zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, AME-së dhe gjithë zinxhirit të sigurisë.
Disa nga familjet e prekura janë strehuar përkohësisht në Hotel Park në Mitrovicë, ndërsa familje të tjera janë sistemuar tek të afërmit e tyre.
3. Shërbimi shëndetësor
Ekipet mjekësore të QKMF-së janë duke monitoruar vazhdimisht gjendjen shëndetësore të personave të strehuar. Dy ekipe mjekësore janë në gatishmëri për intervenime të menjëhershme, ndërsa një ekip i tretë është në përcjellje të zjarrfikësve. Në QKMF ka mjaftueshëm shtretër në dispozicion për çdo nevojë eventuale.
4. Furnizimi me ushqim
Disa familje janë pajisur me pako ushqimore, ndërsa dhjetëra pako të tjera janë gati për shpërndarje. Aktualisht, 12 persona të strehuar në Hotel Park po furnizohen me shujta ushqimore, ndërsa nga dita e nesërme do të sigurohen shujta (mëngjes dhe darkë) për gjithsej 20 persona të evakuuar.
5. Furnizimi me ujë
Gjatë ditës së djeshme, në Sheshin “Mehë Uka” kanë qenë në dispozicion autobotë për furnizim me ujë për nevoja higjienike. Po ashtu, dhjetëra paleta me bidonë me ujë të pijshëm janë shpërndarë në Sheshin “Adem Jashari”, ndërsa sot shpërndarja ka vazhduar edhe në zonën e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë.
6. Intervenimi në rrugë
Të gjitha rrugët janë pastruar me kohë dhe aktualisht janë plotësisht të kalueshme në gjithë territorin e Komunës së Mitrovicës.
Komuna e Mitrovicës falënderon të gjitha institucionet, shërbimet emergjente dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe solidaritetin e treguar. Shtabi Emergjent mbetet në gatishmëri të plotë dhe do të vazhdojë të informojë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejmë”, thuhet në njoftim.