Sindikata e Policisë së Kosovës thonë se nuk janë ekzekutuar mjetet financiare për muajin dhjetor për familjet e policëve të rënë në detyrë. Për këtë ata kanë shprehur shqetësimin, duke u bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të gjejnë një zgjidhje dhe të realizojnë këto pagesa të mbetura.
“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me mos-pagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor. Edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave. Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit. Kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Ata e nënvizojnë se “Sakrifica e policëve të rënë në detyrë nuk duhet dhe nuk guxon të harrohet”.