Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), ka publikuar raportin e përditësuar mbi situatën e vërshimeve në nivel vendi për periudhën 9–10 janar 2026, duke bërë të ditur se gjendja paraqitet kryesisht stabile dhe e menaxhueshme.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e AME-së nga informatat e pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, Njësitë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, strukturat për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe raportimeve të qytetarëve, pas rënies së intensitetit të reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, në shumicën e rajoneve është vërejtur përmirësim i dukshëm i situatës, me rënie graduale të nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj, njofton Dukagjini.
Po ashtu bëhet e ditur se nuk është raportuar për humbje jete.
“Në rajonin e Prishtinës, vërshime janë regjistruar në disa rrugë në Prishtinë, Lipjan, Shtime dhe Graçanicë, ndërsa në Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas dhe Podujevë situata ka qenë e qetë dhe pa nevojë për ndërhyrje. Të gjitha intervenimet janë realizuar nga ekipet emergjente dhe kompani të kontraktuara nga komunat. Edhe në rajonin e Prizrenit, komunat Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Mamushë nuk kanë raportuar thirrje për intervenim. Ndërkaq, në Malishevë janë realizuar dy intervenime për rrugë të bllokuara nga uji, ndërsa në Dragash një intervenim teknik për shkak të një pusetë të bllokuar” thuhet në njoftimin e AME-së.
Ndërsa në rajonin e Mitrovicës, në kompleksin “Amina” është evakuuar një familje nga ekipet e zjarrfikësve, ndërsa aktualisht gjendja është më e qetë dhe pa rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Në Skenderaj dhe Vushtrri nuk ka pasur raste që kërkojnë ndërhyrje. Ndërkohë, në Termocentralin Kosova A është realizuar një intervenim urgjent për pompë thithëse me kapacitet të madh.
Në rajonin e Pejës, situata paraqitet stabile në të gjitha komunat, por në disa segmente të rrugëve Pejë–Rugovë dhe Pejë–Kullë kërkohet kujdes i shtuar për shkak të prezencës së ujit.
Në Rajonin e Gjakovës, gjendja është e qetë dhe stabile, me rënie të nivelit të ujit në lumenj, ndërsa raportohet për një bllokim rruge si pasojë e shembjes së dheut.
Në rajonin e Gjilanit, vërshime janë raportuar vetëm në rrugën e Kufcës në Gjilan, ndërsa në komunat tjera situata mbetet e qetë.
AME vlerëson se situata aktuale nuk paraqet rrezik për përshkallëzim, ndërsa rreziqet kryesore lidhen me reshjet e borës, ngricat dhe vështirësitë në qarkullim. Qendra Operative e AME-së dhe strukturat përkatëse mbesin në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë për monitorim dhe reagim të menjëhershëm sipas nevojës.