Numri i viktimave nga protestat në Iran ka kaluar 500 persona, ka bërë të ditur një organizatë për të drejtat e njeriut, ndërsa Teherani ka paralajmëruar se do të godasë bazat ushtarake amerikane nëse SHBA ndërhyn në mbështetje të protestuesve.
Sipas organizatës amerikane HRANA, e cila bazohet në të dhëna nga aktivistë brenda dhe jashtë Iranit, janë verifikuar 490 protestues dhe 48 pjesëtarë të forcave të sigurisë të vrarë gjatë dy javëve të trazirave. Po ashtu, më shumë se 10.600 persona janë arrestuar.
Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar shifra zyrtare, ndërsa agjencia Reuters thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto të dhëna.
Protestat janë më të mëdhatë që nga viti 2022 dhe përbëjnë një sfidë serioze për udhëheqjen klerikale të Iranit. Ato nisën më 28 dhjetor për shkak të rritjes së çmimeve, por më pas u shndërruan në thirrje kundër regjimit që ka qeverisur vendin që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht me ndërhyrje nëse autoritetet iraniane përdorin forcë kundër protestuesve.
Një zyrtar amerikan ka konfirmuar se Trump pritet të takohet të martën me këshilltarë të lartë për të diskutuar opsionet ndaj Iranit. Sipas Wall Street Journal, këto përfshijnë sulme ushtarake, përdorim të armëve kibernetike, sanksione më të ashpra dhe mbështetje online për burime kundër qeverisë iraniane.
Në reagim, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, ka paralajmëruar Uashingtonin kundër “një keqllogaritjeje”.
“Në rast të një sulmi ndaj Iranit, Izraeli dhe të gjitha bazat dhe anijet amerikane në rajon do të jenë objektiva legjitime”, deklaroi ai.
Autoritetet iraniane kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave dhe kanë thirrur një tubim kombëtar të hënën për të dënuar, siç thuhet, “veprimet terroriste të udhëhequra nga SHBA dhe Izraeli”.
Ndërkohë, rrjedha e informacionit nga Irani është kufizuar ndjeshëm për shkak të ndërprerjes së internetit që nga e enjtja. Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë turma të mëdha protestuesish në Teheran, duke marshuar natën dhe duke brohoritur slogane kundër qeverisë.
Video nga qyteti Mashhad tregojnë tym nga zjarret në rrugë, protestues të maskuar dhe shpërthime të dëgjuara gjatë natës./Reuters