Pemët 19%; mishi 14.4%; qumështi, djathi dhe vezët 9.8%; buka dhe drithërat 5.3%; sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 4.5%; perimet 3.6%; uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët e perimet 3%.
Këto vlerat e përqindjes së ngritjes së çmimeve sipas grupeve të produkteve ushqimore të listuara në indeksin e fundit të Agjencisë së Statistikave, në krahasimin ndërmjet muajve Dhjetor 2024 dhe Dhjetor 2025.
Në periudhën e njëjtë, sipas ASK-së, ngritje është regjistruar edhe në çmimin e energjisë elektrike për 18.3%; duke vazhduar me koston e shërbimeve lidhur me pajisjet personale të transportit 18.1% dhe mirëmbajtja e tyre 14.7%; çmimi i lëndëve djegëse të ngurta si dru zjarri dhe pelet 13.1%; shërbimet ambulatore 8.9%; kujdesi personal 5.6%; mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e ekonomive shtëpiake 5.4%; veshjet 3.7%; dhe biletat e transportit rrugor 3.7%
Kategoria e vetme për të cilën Agjencia e Statistikave ka raportuar ulje çmimesh është ajo e karburanteve dhe lubrifikantëve, rreth 1.7%.
Duke veçuar produktet bazë, shumë qytetarë thonë se rritja e çmimeve vërehet pothuajse në çdo sferë.
“Unë nuk e di ku s’po vërehet që nuk janë rritë çmimet?! S’po di tjetër çka me ju thanë! Gjithçka! Në të gjitha, çdo sferë e jetës është shtrenjtu, rrymë, ujë, mos të flasim për derivate, gjërat ushqimore kanë shku në ekstremitet, pagat kanë metë të njëjta”, ka thënë Besnik Halili, qytetar.
“Produktet ushqimore… Pensionist. (A po ia dilni me pensionin e tuaj?) Paj, për nevoja personale po, përndryshe jo”, ka thënë Ismajl Ajvazi, qytetar.
“Me të tregu të drejtën, rritja e çmimeve zakonisht është në pemë, perime, patate, gjërat ushqimore… Energjia elektrike është gjithashtu e shtrenjtë, kështu që po shpresojmë që nashta do bahet mirë, rregullohet puna, na i rrisin qito rroga e i përballojmë çmimet, përndryshe është vështirë”, ka thënë Ramadan Tahiri, qytetar.
Ka edhe qytetar që e ndjejnë më pak këtë ngritje.
“Ka pak rritje, por unë e shoh si gjë normale rritjen, nuk është ne ekstrem. Është e përballueshme. (Ju punoni? Jeni pensioner?) Pensioner jam, pensioner me kontribut. Mirë është, nuk është keq. Na po presim ma mirë e ma mirë m’u ba, por menjëherë s’bahet mirë. Na jemi shtet i ri, duhet njëherë me investu pastaj me marrë”, ka thënë Maksut Bytyçi, qytetar.
Duke veçuar mungesën e prodhimit brenda, një qytetar tjetër rritjen e çmimeve e lidhi me faktorë të jashtëm.
“Ka disa arsye, por një prej tyre është inflacioni, ku vetë euros i humbë vlera. Dhe fakti që i humbë vlera, nënkupton që ky nuk është problem vetëm i Kosovës, por është problem ndërkombëtar. Do me thanë, marrëdhëniet me shtetet tjera, tregtia që bëhet me shtetet tjera ndikon në çmimet e vendit tonë”, ka thënë Briken Maxharaj, qytetar.
Derisa mesatarja e ngritjes së çmimeve për periudhën Dhjetor 2024-Dhjetor 2025 ishte 5.3%, Agjencia e Statistikave raportoi për ngritje për 0.7% vetëm për një muaj nga Nëntori në Dhjetor.
Ndërkaq, sipas ASK-së, norma mesatare vjetore e inflacionit më 2025 ishte 3.9%.
