Shitja e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj, Apeli ia ul dënimin Tom Dodajt 

Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë sa i përket sanksionit penal për Tom Dodajn, duke e dënuar me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës me të cilën është vrarë Liridona Ademaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 31 janar 2025 e kishte dënuar të akuzuarin Dodaj me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, të akuzuar janë Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj. Këtë të fundit, Prokuroria e ngarkon se ka shitur armën me të cilën është kryer vrasja.

Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i Dodajt, avokati Agron Kuqi, për shkak të vendimit mbi lartësinë e dënimit dhe shkeljes së parimit të ligjshmërisë, me propozimin që rasti të kthehet në rigjykim ose që aktgjykimi të ndryshohet dhe Dodajt t’i shqiptohet dënim më i butë- përkatësisht me gjobë ose dënim me kusht, me të cilin do të arrihet qëllimi i dënimit.

Kurse, Prokuroria e Apelit, përmes parashtresës së 4 qershorit 2025, ka propozuar që të refuzohet ankesa e mbrojtjes së Dodajt si e pabazuar, ndërkaq aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Përmes vendimit të 10 dhjetorit 2025, është aprovuar si e bazuar ankesa e avokatit Kuqi, ndërkaq është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë sa i përket dënimit, kështu i akuzuari për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, u dënua me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në pjesët tjera, aktgjykimi mbetet i pandryshuar.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të tjera, të cilat detyrimisht do të kushtëzonin prishjen e këtij vendimi.

Lidhur me vendimin mbi dënimin, Apeli konstatoi se pretendimet e mbrojtjes për një dënim më të butë janë të bazuara.

Shkalla e dytë thekson se Themelorja me rastin e dënimit, mori parasysh rrethanat lehtësuese: pranimin e fajësisë në të gjitha fazat e procedurës, pendesën dhe kërkim faljen për familjen e dëmtuar- edhe pse ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që e ka shitur. Ndërkaq, rrethanë rënduese është marrë rrezikshmëria shoqërore e veprës penale.

Duke i vlerësuar këto rrethana, shkalla e parë mori vendim me të cilin e dënoi me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë Dodajn, me bindje se me këtë do të arrihet qëllimi i dënimit. Por, Apeli ka vlerësuar se ky dënim ishte i ashpër.

“Dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë prej 5 (pesë) vite burgim dhe dënim me gjobë prej 5 (pesë mijë) euro në rrethanat e çështjes rezulton se është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese të pranimit të fajësisë në të gjitha stadet e procedurës penale, të cilës rrethanë nuk i është dhënë rëndësia e duhur me rastin e caktimit të dënimit, në ndërlidhje edhe me rrethanat e tjera si pendimin e tij, gatishmërinë për bashkëpunim, kërkim faljen familjes së dëmtuar për veprën e kryer, faktin që nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur…”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, në vendim thuhet se nga shkresat e lëndës, rezulton se për Tom Dodajn kjo ishte hera e parë që bie ndesh me ligjin. Aty thuhet se i akuzuari është i martuar dhe babai i tre fëmijëve, mbajtës i familjes, rrethana të cilat sipas kësaj Gjykate, tregojnë se edhe me një dënim më të ulët, mund të arrihet qëllimi ndëshkimor.

“Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi ndaj të akuzuarit është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe me të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës./Betimipërdrejtësi

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika