Ngjan me një tapet nga mënyra se si është hequr por në të vërtetë, kjo është shtresa e asfaltit nga segmenti i rrugës ngjitur me urën, i larguar pas vërshimeve që goditën Komunën e Drenasit ditë më parë.
Gjersa uji ka larguar shtresën e asfaltit pak metra më poshtë, tek ura e fshatit Dobroshec ka mbetur vetëm pjesa e trasesë duke e bërë kështu të pakalueshme rrugën.
Ky segment të shpien tek lagjja “Ademaj” banorëve të cilës, tashmë ua ka komplikuar përditshmërinë.
“Neve na ka bo bukur shumë keq po, kemi zgjidhje veç na duhet nja 7 km me i hangër, 3 e gjysë anej e tre e gjysë këndej për me dale një urë ma nalt se kjo është e pakalueshme. Më së keqi e kemi punën e nxënësve se janë 15 nxënës të shkollës fillore që kombi i merrke çdo herë i qojke në shkollë e i ka prue e tash as sun hin kësajde kurrqysh, duhet me i qit nxënësit diku me bo një zgjidhje por i kisha lut organet me bo diçka dhe besoj që bëhet”, ka deklaruar Veli Ademi – Banor i fshatit Dobroshec.
“Është tepër e vështirë për neve se duhet me i bë plus tre kilometra e gjysëm me shku në urën tjetër ç’ka na shkakton shpenzime ma shumë. E ftoj kryetarin bashkë le t’vjen te shikojmë a është e kalueshme kjo, masa besoj do marrin e shohim ditëve të ardhshme”, ka theksuar tutje ai.
Sipas kontratës së dhënë nga Komuna e Drenasit në korrik të vitit 2022, punimet janë kryer nga kompania ‘Fer-Petroll” ndërsa ky segment, hynte në mesin e 8 rrugëve që duheshin kryer nga kompania në periudhë dy vjeçare.
Vlera e projektit ishte 249 mijë e 955 euro e 70 cent.
Në nenin 34 ku edhe përmendet përgjegjësia mbi defektet theksohet se kontraktuesi do jetë përgjegjës për mënjanimin e defekteve dhe dëme që do lindin nga përdorimi i materialeve të gabuara ose veprimet e mosveprimet gjatë periudhës së defekteve.
Sipas kontratës, periudha garantuese e defekteve është dy vite. (foto defektet)
Në segmentin e rrugës në Dobroshec tregohen detaje të punëve të operatorit nga shtresa e asfaltit 8.0 centimetërshe e deri tek furnizimi, shtruarja dhe ngjeshja e zhavorit që sipas kontratës, trashësia përcaktohet prej 20 centimetrash. (foto detajet e puneve).
Për segmentin “Dobroshec – Çikatovë e vjetër”, vlera e punëve arriti shumën prej 9.984 euro.
Por, në Komunën e Drenasit mohojnë se dëmi ka të bëjë me cilësinë e dobët të punimeve.
“Gjatë realizimit të punimeve ka pasur mbikëqyrje teknike, si gjatë fazës së ndërtimit ashtu edhe pas përfundimit të punimeve, në përputhje me standardet e aplikueshme. Arsyeja e dëmtimit të asfaltit lidhet me vërshimet e fundit dhe sasinë e jashtëzakonshme të ujit. Duke qenë se kjo pjesë paraqet një nga pikat më të ngushta të grykës së Drenasit, presioni i madh i ujit, i paparë më herët, ka ndikuar drejtpërdrejt në dëmtimin e rrugës. Teknikisht, në kushte të tilla është e pamundur që asfalti të qëndrojë i paprekur në bazamentin e tij. Siç edhe vërehet në terren, dëmtimi nuk ka ardhur si pasojë e cilësisë së dobët të punimeve, pasi asfalti dhe bazamenti janë shkëputur në tërësi dhe jo të copëtuar, çka dëshmon për ndikim të forcave të jashtme natyrore. Në të ardhmen, kjo pjesë do të trajtohet me kujdes të shtuar, duke shqyrtuar mundësinë e betonimit të dy anëve të rrugës si dhe vendosjen e lëshesave shtesë për tejkalimin e ujërave, me qëllim të zvogëlimit të presionit mbi bazamentin e asfaltit”, ka deklaruar Endrit Gllareva – Drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës.
Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga kompania përgjegjëse për projektin por e njëjta, nuk i është përgjigjur interesimit.