Nga torturat ç’njerëzore deri te vrasjet, çka thotë aktakuza për Masakrën e Reçakut?

Nesër bëhen 27 vjet nga masakra e Reçakut, ku u vranë e masakruan 42 civilë shqiptarë. Por për dallim nga vitet e kaluara, ky përvjetor e gjen shtetin me një aktakuzë të ngritur nga PSRK-ja ndaj 21 serbëve, për krimet mizore që kryen në këtë fshat

27 vjet më parë, këto pamje të masakrës së Reçakut u panë nga e gjitha e bota. Por drejtësia për këto mizori akoma nuk është vënë në vend.

Megjithatë tani janë 21 persona të akuzuar, pasi javën e kaluar Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë në këtë fshat të Shtimes.

Në aktakuzën e siguruar nga televizioni, thuhet se të njëjtit ishin pjesë e Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar” , Armatës së –III- e quajtur “Korpusi i Prishtinës” dhe pjesëtarë të  Ministrisë së Punëve të Brendshme e njohur si “MUP”, në të cilën bënin pjesë: Njësitë e Veçanta të Policisë të njohura si ‘’PJP’’, Njësitë Speciale Antiterroriste të njohura si “SAJ”.

Aty thuhet gjithashtu se pjesëtarë të tyre kanë kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

“…rreth 30-40 policë hynë në oborr të shtëpisë, që të gjithë të armatosur, pastaj nën kërcënimin e armëve i detyruan të gjithë burrat të dalin nga vendstrehimi dhe të vendosën në oborr, ndërsa gratë dhe fëmijët i mbyllën me çelës në bodrum, më pastaj pasi i kanë legjitimuar burrat, i kanë shtrirë për toke dhe filluan t´i rrahin në mënyrë çnjerëzore duke përdorur kondakët e armëve, shqelma, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta, pastaj të dëmtuarit e dëgjuan një komunikim në radiolidhjen e njërit prej policëve që ishte prezent,  dhe pas këtij komunikimi policia serbe i morën të dëmtuarit dhe i vendosën në kolonë dhe i detyruan që të shkojnë në drejtim të zonës malore të njohur me emrin ”Kodra e Bebushit”, me ç‘rast, disa prej tyre i ekzekutojnë…”

Vrasjet e civilëve, siç përshkruhen në aktakuzë, ishin ç’njerëzore e mizore.

“…Në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashitit fillimisht e vrasin Banush Kamerin të cilit pastaj edhe ia presin  kokën, në vendin e quajtur ‘’Vrella’’  i vrasin Haki Metushi, Sabri Syla dhe Arif Metushi, në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe  fqinjin e tij Hajriz Jakupi, në afërsi të shtëpisë së Zuk Mustafës i vrasin: Skender Halili, Hanumshahe Mujota, vazhdojnë në drejtim të lagjes ‘’Beqaj’, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre duke i vranë: Halim Beqiri, Riza Beqiri dhe Zenel Beqiri, kurse mbetën të plagosur Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri…”

Prokurori special Ilir Morina, bazuar në Kodin e Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Por kjo formë e propozuar e gjykimit po vlerësohet si problematike në Fondin për të Drejtën Humanitare.

“Çështja kryesore që na preukupon neve në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë është edhe sesa do jenë viktimat të kënaqura me këtë proces gjyqësor duke pas parasysh që gjasat që të pandehurit nëse dënohen me aktgjykime të plotefuqishme gjasat janë të vogla që të mbajnë burgun”, ka deklaruar Bekim Blakaj – FDH.

Sipas prokurorisë, rreth 20.000 civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë janarit të 1999.

Në dhjetor të vitit 2024, Çedomir Aksiq ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 15 vjet burgim për krime lufte, përfshirë edhe akuzat për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika