Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, ku u diskutuan çështje të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit demokratik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, gjatë takimit u vlerësua pozitivisht mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të fundit dhe përmbushja e standardeve më të larta demokratike.
Në takim u diskutua edhe për çështje të tjera që lidhen me bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Anu Prattipati.
Gjatë takimit u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike, çka u vlerësua lart nga të dyja palët. Duke vënë theksin në rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve, u ritheksua nevoja që ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me kushtetutën.
Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në rrafshin e bashkëpunimit bilateral. Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të ecur përpara krah për krah me Shtetet e Bashkuara, në frymën e besimit të ndërsjellë, vlerave të përbashkëta dhe bashkërendimit të ngushtë në proces strategjike.
Me këtë rast, znj. Prattipati i përcolli Presidentes dhe Zotërisë së Parë urimin për Vitin e Ri nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump”, thuhet në njoftim.