Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, e të cilët në seancën gjyqësore të kësaj të premte, para trupit gjykues që tani udhëhiqet nga Ngadhnjim Arrni, nuk kanë dashur të deklarohet rreth fajësisë së veprave me të cilat ngarkohen, raporton Ekonomia Online.
I akuzuari Blagoje Spasojeviq, tha se nuk dëshiron të deklarohet për fajësinë, por që sipas trupit gjykues kjo përgjigje i bie që i akuzuari nuk ka pranuar fajësinë.
“Nuk dëshiroj të deklarohemi”, tha ai.
Të njëjtën përgjigje e dha edhe i akuzuari Vladimir Toliq.
“Nuk dëshiroj që të deklarohem rreth fajësisë”, tha ai.
Edhe i akuzuari Dushan Maksimoviq, tha se nuk është fajtor.
“Nuk jam fajtor për veprën që më vihet barrë për këtë aktakuzë”, tha ai.
Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, njoftoi se gjatë administrimit të provave, prokuroria do të paraqesë edhe prova të reja.
“Prokuroria në fazën e administrimit të provave do të ketë edhe prova të reja që do t’i dorëzojmë me shkrim. Vetëm me prova materiale”, tha ai.
Në anën tjetër, avokati i Vladimir Toliqit, Milos Deleviq, kërkoi ndryshimin e aktakuzës, duke argumentuar se ajo nuk është më adekuate për vazhdimin e procesit.
“Siç e dimë u nda procedura në raport me të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, me të akuzuarit e tjerë që janë të akuzuar me këtë aktakuzë të Prokurorisë Speciale. Unë e thërras që të ndryshojë këtë aktakuzë sepse konsideroj që nuk është më adekuate për vazhdimin dhe të akuzojë Vladimir Toliqin për veprime konkrete. Ju kujtoj se këtu nuk gjykohet Radoiçiqi, por Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq”, tha ai.
Avokatja e Dushan Maksimoviqit, Jovana Fillipoviq, propozoi caktimin e ekspertizave shtesë, duke kërkuar që të shqyrtohet lloji i uniformës së përmendur në aktakuzë, si dhe identifikimi i armës kontestuese.
“Propozoj që të caktohet ekspertiza me llojin e uniformës e cila është prezantuar në taqen 132 të aktakuzës dhe ajo që ka të bëjë me veprën konkrete. Gjithashtu propozoj që të caktohet ekspertizë në raport me identifikimin me armën kontestuese për të cilën prokurori thotë se ka të bëjë me pushkë snajper e ne themi që është pushkë ajrore. Të kryhet ekspertiza nga ana e ekspertit të autorizuar. Pajtohem që aktakuza duhet të ndryshohet”.
Lidhur me vazhdimin e procedurës, prokurori Abazi kërkoi që shqyrtimi të vazhdojë pa përsëritje të panevojshme të provave.
“Ky shqyrtim duhet të fillojë rishtazi. I propozoj gjykatës që të lexohen formalisht të gjitha deklaratat në mënyrë që ato të bëhen pjesë e shqyrtimit të ri gjyqësor dhe që procedura të vazhdojë aty ku ka mbetur, pa përsëritje të panevojshme të provave”, tha ai.
Ky propozim u mbështet edhe nga avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, si dhe nga avokati i Blagoje Spasojeviqit, Ljubomir Pantoviq, i cili tha se pajtohet me qëndrimin e prokurorisë.
“Të rralla janë situatat kur prokuroria pajtohet dhe ky është një rast i tillë. Pajtohem me prokurorin dhe e mbështes propozimin e tij”.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë seancës kishte të bënte me dëshmitaren Dragana Antonijeviq.
Avokatja Fillipoviq kërkoi përpjekje shtesë për sigurimin e pranisë së saj fizike në gjykatë, ndërsa prokurori Abazi sqaroi se dëshmitarja ka dhënë deklaratë në prokurori më 16 maj 2025 dhe se, sipas informacioneve, ajo është larguar nga Kosova dhe jeton në Serbi.
Ai theksoi se dëshmia e saj nuk lidhet drejtpërdrejt me të akuzuarin Dushan Maksimoviq dhe se leximi i deklaratës është miratuar për të shmangur zvarritjen e procesit.
“Kjo dëshmitare ka dhënë deklaratën e saj në prokurori më 16.05.2025 dhe se kjo gjykatë, në përbërje të trupit gjykues, ka bërë përpjekje të vazhdueshme ta kontaktojë në adresë, por që e njëjta nuk u është përgjigjur ftesave të kësaj gjykate dhe nga njoftimet që kemi marrë, e njëjta daton se është larguar nga Kosova dhe jeton në territorin e Serbisë dhe deklarata e saj nuk lidhet me të akuzuarin Dushan Maksimoviq dhe e njëjta ka dëshmuar rreth ngjarjes së ditës kritike se ku ka qenë. Lëndësueshmëri hote Ranjnska Banja, mirëpo meqenëse dëshmia e saj do ta zvarriste procedurën më tutje, prokuroria ka propozuar që deklarata e saj të lexohet dhe gjykata e ka aprovuar këtë propozim dhe kemi kaluar në dëgjim të dëshmitarëve të tjerë, prandaj nuk e shoh të arsyeshme që edhe njëherë kjo dëshmitare të sillet në gjykatë me kërkesa të kësaj gjykate, për faktin se deri tani nuk kemi njoftim të ri se ajo është kthyer në Republikën e Kosovës”, tha Abazi.
Trupi gjykues më pas mori aktvendim që t’i konsiderojë të lexuara veprimet e ndërmarra në seancat e kaluara dhe i konsideroj të lexuara të gjitha deklaratat e dëshmitarëve që janë lexuar.
Po ashtu trupi gjykues vendosi që të bëjë edhe një përpjekje shtesë për sigurimin e prezencës së dëshmitares, por theksoi se në rast të dështimit, deklarata e saj do të mbetet e lexuar, ashtu si edhe e dëshmitarëve të tjerë, për të mos prolonguar procesin gjyqësor.
“Për çështjen e ngritur nga avokatja Jovana Fillipoviq, trupi gjykues, ani pse nuk ka arritur të sigurojë prezencën e saj, përkundër që janë bërë të gjitha përpjekjet, dhe merr për bazë faktin që ne veçse kemi të aprovuar që të dëgjohet edhe dëshmitari Millosh Radosavloviq. Si trup gjykues do të bëjmë edhe një përpjekje të radhës që ta sigurojmë dëshmitaren. Por nëse konfirmimet e radhës janë të njëjta, edhe deklarata e kësaj dëshmitare do të mbetet e lexuar si të dëshmitarëve të tjerë, që të mos prolongohet procesi gjyqësor, por që kjo gjykatë do të bëjë edhe një përpjekje”, tha Arrni.
Në seancë ishte i pranishëm dëshmitari Millosh Radosajlleviq, i propozuar nga mbrojtja për të dhënë deklarimin e tij por kryetari i trupit gjykues, Arrni njoftoi se për momentin nuk ka mundësi kohore për të vazhduar me dëshminë, për shkak të ndryshimit të trupit gjykues.