Rusia ka sulmuar çdo central energjetik të Ukrainës, dimri po thellon krizën thonë autoritetet

Rusia nuk ka kursyer asnjë central energjetik ukrainas që nga nisja e pushtimit të plotë, deklaroi të premten ministri i ri i Energjisë i Ukrainës, teksa një përshkallëzim i fundit i bombardimeve ajrore ka lënë qindra mijëra njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike për ditë të tëra, gjatë dimrit më të ftohtë të viteve të fundit.

Denys Shmyhal tha se Rusia ka kryer 612 sulme ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike të Ukrainës gjatë vitit të kaluar. Ky intensitet sulmesh është shtuar muajt e fundit, ndërsa temperaturat e natës kanë rënë deri në minus 18 gradë Celsius, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

“Askush në botë nuk është përballur ndonjëherë me një sfidë të tillë,” u tha Shmyhal ligjvënësve gjatë një fjalimi në Parlamentin e Ukrainës.

Rusia ka goditur vazhdimisht rrjetin energjetik të Ukrainës, veçanërisht gjatë dimrit, përgjatë gati katër viteve luftë. Synimi është dobësimi i vullnetit të ukrainasve për të rezistuar, në një strategji që zyrtarët në Kiev e quajnë “armatosja e dimrit”.

“Sigurimi nga jashtë i furnizimeve të reja me raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore, të afta për të përballuar sulmet ruse ndaj rrjetit energjetik, është një proces i vështirë dhe rraskapitës”, tha presidenti Volodymyr Zelenskyy.

Ai zbuloi se disa nga sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit kishin mbetur pa raketa dhe ishin në mëshirën e Rusisë, derisa një dërgesë e re mbërriti të premten në mëngjes.

Sipas presidentit ukrainas, sigurimi i këtyre furnizimeve kërkon presion intensiv diplomatik, për shkak të niveleve minimale të rezervave dhe ligjeve kombëtare në vendet aleate.

“Por sinqerisht, çfarë kuptimi kanë ato rregulla dhe ligje kur ne jemi në luftë dhe kemi dëshpërimisht nevojë për këto raketa?” tha Zelenskyy.

Zelenskyy tha të premten se një delegacion ukrainas është nisur drejt SHBA-së për të finalizuar me Uashingtonin dokumentet për një marrëveshje të propozuar paqeje, që lidhen me garancitë e sigurisë pas luftës dhe rimëkëmbjen ekonomike.

“Nëse zyrtarët amerikanë miratojnë propozimet, SHBA-ja dhe Ukraina mund t’i nënshkruajnë dokumentet javën e ardhshme në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës”, tha Zelenskyy gjatë një konference për shtyp në Kiev, së bashku me presidentin çek Petr Pavel.

Sipas organizatorëve, presidenti amerikan Donald Trump planifikon të marrë pjesë në Davos.

Megjithatë, Rusia do të duhet ende të konsultohet lidhur me këto propozime.

Në Ukrainë, vështirësitë janë ndjerë ashpër për shkak të ndërprerjeve të gjata të energjisë elektrike. Mungesa e energjisë në Ukrainë është aq e rëndë, saqë Shmyhal u bëri thirrje bizneseve të fikin tabelat e ndriçuara dhe dekorimet e jashtme për të kursyer energji elektrike.

Ukraina ka vendosur masa emergjente, përfshirë lehtësimin e përkohshëm të orës policore, për t’u lejuar qytetarëve të shkojnë sa herë të kenë nevojë në qendrat publike të ngrohjes të ngritura nga autoritetet.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika