Zyrtarë të lartë të Bashkimi Evropian dhe bllokut tregtar të Amerikës së Jugut, Mercosur, kanë nënshkruar të shtunën në Paraguai një marrëveshje të tregtisë së lirë, duke hapur rrugën për paktin më të madh tregtar që BE-ja ka arritur ndonjëherë, pas plot 25 vitesh negociata.
Marrëveshja parasheh uljen e tarifave doganore dhe forcimin e shkëmbimeve tregtare mes dy rajoneve. Ajo pritet tani të kalojë për miratim në Parlamentin Evropian dhe të ratifikohet nga parlamentet e vendeve anëtare të Mercosur-it, përfshirë Argjentina, Brazili, Paraguai dhe Uruguai.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe presidentë dhe përfaqësues të vendeve të Mercosur-it. Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, mungoi në ceremoni dhe u përfaqësua nga ministri i Jashtëm.
Marrëveshja kishte marrë miratimin paraprak të shumicës së vendeve të BE-së javën e kaluar, pavarësisht kundërshtimeve të fermerëve dhe organizatave mjedisore. Këto grupe kanë shprehur shqetësime lidhur me rritjen e importeve më të lira nga Amerika e Jugut dhe pasojat e mundshme që marrëveshja mund të ketë në shpyllëzimin e rajonit.