Një zyrtar iranian tha të dielën se autoritetet kanë verifikuar se të paktën 5,000 persona janë vrarë gjatë protestave në Iran, përfshirë rreth 500 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Ai fajësoi terroristët dhe protestuesit e armatosur për vrasjen e iranianëve të pafajshëm, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Zyrtari, i cili nuk pranoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, i tha gjithashtu Reuters se disa nga përplasjet më të ashpra dhe numri më i lartë i viktimave kanë ndodhur në zonat kurde të Iranit në veriperëndim të vendit — një rajon ku separatistët kurdë kanë qenë aktivë dhe ku shpërthimet e dhunës kanë qenë ndër më të rëndat edhe në periudha të mëparshme trazirash.
“Numri përfundimtar i viktimave nuk pritet të rritet ndjeshëm. Izraeli dhe grupe të armatosura jashtë vendit kanë mbështetur dhe furnizuar ata që dolën në rrugë për të protestuar”, u shpreh ai zyrtar.
Autoritetet iraniane rregullisht fajësojnë armiq të huaj për trazirat, përfshirë Izraelin, armik i përbetuar i Republikës Islamike, i cili në qershor kreu sulme ushtarake ndaj Iranit.
Grupi për të drejtat e njeriut HRANA, me seli në SHBA, tha të shtunën se numri i të vdekurve ka arritur në 3,308, ndërsa edhe 4,382 raste të tjera janë ende në shqyrtim.
Sipas grupit, janë konfirmuar mbi 24,000 arrestime.
Grupi kurd iranian për të drejtat e njeriut Hengaw, me bazë në Norvegji, ka deklaruar se disa nga përplasjet më të ashpra gjatë protestave që shpërthyen në fund të dhjetorit kanë ndodhur pikërisht në zonat kurde në veriperëndim të Iranit.