Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas gjetjes së mundshme të manipulimit ka kërkuar rinumërim të plotë të votave nga procesi zgjedhor i 28 dhjetorit.
Haradinaj, vlerëson se rinumërimi i pjesshëm sipas tij po tregon manipulime të përmasave shqetësuese, duke shtuar se pa një rinumërim të tërësishëm nuk mund të garantohet integriteti i zgjedhjeve, njofton Dukagjini.
“Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve po e nxjerr në shesh një skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit. Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, ka shkruar Haradinaj.
Mes tjerash, Haradinaj apelon tek mekanizmat e drejtësisë dhe institucionet e vendit që të veprojnë për të mbrojtur votën e qytetarit.
“E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh. Apeloj tek të gjithë mekanizmat që me vendimet e veprimet e tyre ta mbrojnë votën e qytetarit dhe ta rikthejnë integritetin e zgjedhjeve të 28 Dhjetorit. Çdo drejtim tjetër do të kishte pasoja të pariparueshme”, ka shkruar Haradinaj.