Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka premtuar se autoritetet do të zbardhin plotësisht shkaqet e aksidentit tragjik hekurudhor në jug të vendit, ku të paktën 40 persona humbën jetën pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë.
Pas vizitës në vendin e ngjarjes, Sánchez njoftoi gjithashtu shpalljen e tri ditëve zie kombëtare në nderim të viktimave, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në rrënojat e trenave.
Më shumë se 120 persona janë plagosur pasi një tren që po udhëtonte drejt Madridit doli nga shinat dhe kaloi në linjën kundër, duke u përplasur me një tren tjetër që po vinte nga drejtimi i kundërt, nga Madridi për në Huelva.
Aksidenti ndodhi të dielën në mbrëmje, pranë Adamuzit, afër qytetit të Kordobës, dhe konsiderohet si më i rëndi në Spanjë në më shumë se një dekadë.
Sipas operatorit të rrjetit hekurudhor Adif, përplasja ndodhi rreth orës 19:45 sipas kohës lokale, rreth një orë pasi njëri nga trenat ishte nisur nga Málaga për në Madrid.
Treni doli nga shinat në një segment të drejtë të linjës hekurudhore, ndërsa forca e përplasjes shtyu vagonët e trenit të dytë drejt një mbajtëseje anësore, bëri të ditur ministri i Transportit, Óscar Puente.
Ai shtoi se shumica e viktimave dhe të plagosurve ndodheshin në vagonët e përparme të trenit që udhëtonte nga Madridi drejt Huelvës.
Ekipet e shpëtimit kanë bërë të ditur se struktura e përthyer e vagonëve e ka bërë jashtëzakonisht të vështirë nxjerrjen e personave të bllokuar.
Kryeministri Sanchez, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë shtetërorë, vizitoi vendin e aksidentit të hënën pasdite.
“Kjo është një ditë zie për të gjithë Spanjën, për të gjithë vendin tonë,” tha ai para mediave.
“Do të arrijmë tek e vërteta, do ta gjejmë përgjigjen dhe, kur të dihet origjina dhe shkaku i kësaj tragjedie, me transparencë dhe qartësi të plotë, do ta bëjmë publike.”
Ministri Puente tha se hetimet mund të zgjasin të paktën një muaj, duke e përshkruar aksidentin si “jashtëzakonisht të çuditshëm”.
Ndërkohë, agjencia Reuters, duke cituar burime të paemëruara të njohura me hetimet paraprake, raportoi se ekspertët kanë identifikuar një nyje të dëmtuar në shinat e hekurudhës, e cila krijonte një hapësirë mes segmenteve të shinave gjatë kalimit të trenave.
Sipas tyre, kjo nyje është kyçe për përcaktimin e shkakut të aksidentit. Megjithatë, gazeta spanjolle El País shkruan se ende nuk është e qartë nëse ky defekt ishte shkak apo pasojë e përplasjes.
Autoritetet hekurudhore thanë se në dy trenat ndodheshin rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë të stafit.
Shërbimet emergjente kanë trajtuar 122 persona, ndërsa 41, përfshirë fëmijë, mbeten të shtruar në spital. Dymbëdhjetë prej tyre janë në gjendje kritike në kujdes intensiv.
Puente theksoi se numri i viktimave “nuk është ende përfundimtar”, ndërsa procesi i identifikimit të të vdekurve është në vazhdim.
Sipas autoriteteve, treni i përfshirë në aksident ishte i tipit Freccia 1000, i cili mund të arrijë shpejtësi deri në 400 kilometra në orë.