Policia e Kosovës ka arrestuar personin që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin e ndodhur para dy ditësh në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ku si pasojë u lënduan katër persona.
Sipas njoftimit, i dyshuari pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes, pasi me automjet kishte goditur dy vetura.
“Si rezultat i veprimeve policore, është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet shoferi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin. Ndaj tij janë ndërmarrë masat ligjore konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.