Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnate në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit, ku një 30-vjeçar dyshohet se ka vrarë nënën e tij.
Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Me datën 21.01.2025, rreth orës 01:06, Policia është njoftuar për një rast të vdekjes së dyshimtë në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit. Sipas informatave fillestare, dyshohet se një person mashkull, rreth 30 vjeçar, e ka privuar nga jeta nënën e tij, rreth 60 vjeçare. I dyshuari, sipas të dhënave paraprake, ka pasur probleme të shëndetit mendor”, ka thënë Bytyqi.
Ai, mes tjerash, bëri të ditur se i dyshuari është arrestuar nga Policia.
“Nga ekzaminimi fillestar në vendin e ngjarjes, nuk është vërejtur mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa viktima ka pësuar disa lëndime në regjionin e kokës. I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për procedura të mëtejme ligjore”, tha Bytyqi.