Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Evropa nuk po shkon në drejtimin e duhur, duke shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet në kontinent.
“Unë nuk e njoh më Evropën. E dua Evropën, dua ta shoh të ecë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur,” tha Trump gjatë fjalës së tij, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Presidenti amerikan u ndal sërish te Grenlanda, duke e përshkruar atë si një vend të madh, pothuajse të pabanuar dhe të pazhvilluar, që qëndron i pambrojtur.
Ai theksoi se çështja e Gronlandës nuk lidhet me burimet natyrore, por me sigurinë strategjike.
“Nuk ka diçka të tillë si materiale të rralla në Groenlandë. Ajo që ka rëndësi është siguria kombëtare strategjike dhe siguria ndërkombëtare,” u shpreh Trump, duke shtuar se presidentë amerikanë kanë kërkuar ta blejnë Grenlandën për gati dy shekuj.
Sipas tij, në ishull nuk ka asnjë shenjë të Danimarkës, ndërsa Kopenhaga, sipas Trump, po shpenzon më pak para sesa kishte premtuar për Grenlandën.
“Është vetëm SHBA-ja ajo që mund ta mbrojë këtë masë gjigante toke, këtë masë të madhe akulli, ta zhvillojë dhe ta përmirësojë,” deklaroi ai.
Trump theksoi se për këtë arsye po kërkon negociata të menjëhershme për ta përvetësuar Gronlandën.
Duke folur për NATO-n, presidenti amerikan tha se aleanca ka filluar të investojë më shumë në mbrojtje, por shtoi se SHBA-ja nuk synon përdorimin e forcës.
“Nuk do të merrnim asgjë nëse do të vendosja të përdorja forcë të tepruar, do të ishim të pandalshëm, por nuk do ta bëjmë këtë,” tha Trump.
“Ajo që po kërkon SHBA-ja është thjesht një vend i quajtur Grenlandë,” përfundoi ai, duke përsëritur: “Po kërkoj negociata të menjëhershme për ta përvetësuar Grenlandën.”