Hazir Haziri, 77-vjeçari nga Podujeva, i arrestuar nga autoritetet serbe në shtator të vitit të kaluar në pikën kufitare në Merdarë, është liruar. Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Arianit Koci.
Koci ka theksuar se lirimi i Hazirit tregon se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ngritur mbi pretendime të pambështetura në fakte.
Haziri ishte ndaluar më 8 shtator 2025 gjatë hyrjes në Serbi me automjet privat, nën dyshimet për “krime lufte”.
“Rasti nënvizon domosdoshmërinë që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje të menjëhershme juridike sa herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit. Si avokat, do të vazhdoj të angazhohem që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos mbetet i pambrojtur në burgjet e Serbisë, pavarësisht rrethanave apo akuzave të pabazuara. Kjo është përgjegjësi profesionale dhe njerëzore”, ka shkruar Koci.
Sipas raportimeve, nga qershori deri në dhjetor 2025, Serbia ka arrestuar gjithsej 8 qytetarë shqiptarë të Kosovës.