Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se pronësia e Grenlandës nuk ishte shqetësim i Rusisë dhe se Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka – duhet ta zgjidhnin këtë çështje mes tyre.
Moska ka ndjekur me kënaqësi përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë Grenlandën, gjë që ka zgjeruar ndarjen e Uashingtonit me Evropën, edhe pse veprimet e tij mund të kenë pasoja për Rusinë, e cila tashmë ka një prani të fortë në Arktik, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Duke folur në Davos, Trump të mërkurën u tërhoq nga kërcënimet për vendosjen e tarifave si mjet presioni për të marrë Grenlandën dhe përjashtoi përdorimin e forcës.
Ai sugjeroi një përparim drejt një marrëveshjeje për të zgjidhur një mosmarrëveshje mbi territorin gjysmë-autonom danez, që rrezikonte ndarjen më të thellë në marrëdhëniet transatlantike në dekada.
Putin, duke iu referuar çështjes për herë të parë publikisht, sinjalizoi se Rusia nuk do të kundërshtonte përpjekjet e Trump për të kontrolluar Grenlandën, që ai spekuloi se mund të vlejë afërsisht 1 miliard dollarë.
“Çfarë ndodh në Grenlandë nuk është aspak shqetësim për ne,” tha Putin në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Rusisë.
“Rastësisht, Danimarka gjithmonë e ka trajtuar Grenlandën si një koloni dhe ka qenë mjaft e ashpër, nëse jo mizore, ndaj saj. Por kjo është një çështje krejtësisht tjetër, dhe rrallë kush është i interesuar për të tani,” shtoi Putin.
Mbështetja financiare dhe ushtarake e Danimarkës për Ukrainën ka zemëruar Rusinë, e cila po lufton për të marrë kontrollin e plotë mbi katër rajone ukrainase që ajo i pretendoi si të veta në vitin 2022.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka shprehur pakënaqësi për sugjerimin e Trumpit se edhe Moska ka ambicie mbi Grenlandën, por ka qenë e kujdesshme të mos kritikojë Trumpin – i cili po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për të përfunduar luftën në Ukrainë – dhe ka lënë të kuptohet se ka njëfarë simpatie për pretendimin e tij.
Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, tha të martën se ishulli gjigant i pasur me burime, i cili tashmë ka një prani ushtarake amerikane, nuk ishte “një pjesë natyrale” e Danimarkës.
Putin kujtoi se Rusia në vitin 1867 i shiti Alaskën Shteteve të Bashkuara për 7.2 milionë dollarë, dhe se Danimarka në vitin 1917 i shiti Ishujt Virxhinë Uashingtonit, duke krijuar precedent për transaksione të tilla tokësore.
Duke përdorur çmimin e Alaskës – të rregulluar për inflacionin dhe duke llogaritur madhësinë më të madhe të Grenlandës dhe ndryshimet në çmimet e arit – Putin tha se blerja e Grenlandës nga Danimarka mund të kushtonte rreth 1 miliard dollarë, që sipas tij mendonte se Uashingtoni mund ta përballonte.
“Mendoj se ata do ta zgjidhin vetë mes tyre,” tha Putin.