Teksa sot në Bruksel pritet të mbahet një rund i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel kryenegociatorësh, profesori Flamur Hyseni vlerëson se procesi po hyn në një fazë të re, ku tema kyçe do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Duke folur në FIVE në TV Dukagjini, Hyseni tha se, sipas të gjitha gjasave, dialogu do të zhvillohet rreth një boshti kryesor. Asociacionit, edhe pse në tavolinë do të lidhen edhe tema të tjera dytësore.
Hyseni theksoi se nëse analizohet kronologjia e dialogut Kosovë–Serbi, vihet re një zhvendosje e vazhdueshme e balancës.
“Sipas të gjitha gjasave po shihet që dialogu do të zhvillohet me një temë bosht. Asociacionin. Natyrisht që do të lidin edhe tjera tema në tjera aspekte. Por, kyçe do të jetë tema e Asociacionit. Nëse e shikojmë një kronologji të bisedimeve Kosovë-Serbi, sepse ne fillimisht kemi qenë me të favorizuar, pastaj ka qenë një far balancimi, e në ndërkohë ka qenë Serbia më e favorizuar. Momentalisht 2026 dhe një periudhë deri në 2030 po shihet që interesat e BE-së por edhe interesat rajonal janë që të favorizohet Serbia”, ka thënë Hyseni.
Në këtë kontekst, profesori vlerëson se Kosova nuk duhet të hyjë në dialog me strategjinë e vitit 2013, as me qasjen që çoi deri te marrëveshja e parimeve të vitit 2015.
Ai theksoi se Prishtina duhet të rishikojë seriozisht pozicionimin e saj në raport me dialogun dhe të vlerësojë mundësinë që edhe ndaj Serbisë të vendosen kushte konkrete në forumet e Bashkimit Evropian.
Sipas Hysenit, Kosova ka potencial për një qasje të tillë, por deri më tani nuk e ka shfrytëzuar atë.
“Tash Kosova nuk do të duhej të shkonte në dialog me strategji të 2013-tës, madje deri te ajo marrëveshja e gushtit të 2015 për parimet, që është e nënshkruar, e asnjëherë nuk është formalizuar në Serbi. Tash Kosova do duhej të rishikonte pozicionimin e saj përballë këtij procesi dialogues. Dhe do të duhej me pa që a mund të ketë rast të merret seriozisht në forume e BE-së që të vendoset tani edhe ndonjë kusht ndaj Serbisë. E kemi këtë potencial, por nuk është shfrytëzuar, pari dialogu deri tani ishte koncentruar në aspekte teknike… tani jemi në një fazë tipike shtetërore. Te negociosh në Bruksel për aspekte e rregullimit të brendshëm shtetëror, për cka i ka të rregulluara Kosova me kushtetutë. Dhe madje është shteti i vetëm në Evropë që më së larti i ka trajtuar komunitetet. Veçanërisht komunitetin serb, sepse e ka në Kushtetutë në kapitullin e tretë”, ka shtuar Hyseni.