Malisheva është komuna e radhës pas Prizrenit, në të cilën janë vërejtur dallime të mëdha gjatë rinumërimit të qind për qind të votave.
Në dyshimet për manipulim votash edhe në këtë komunë prin Partia Demokratike e Kosovës. I pari në listën e pesë kandidatëve me më së shumti vota dallim është Gazmend Maliqaj, të cilit gjatë rinumërimit i janë hequr 927 vota.
Rrjedhimisht, i bie se mbi 47% të votave në komunën prej nga vjen, Maliqaj i ka të manipuluara.
Pas tij renditen Fetah Paçarizi me 728 vota të zbritura, Adnan Thaqi me 703, Hajdar Beqa 244, dhe Arbnore Salihu me 209 vota të hequra.
Në anën tjetër, Gëzim Hazrolli i Lidhjes Demokratike të Kosovës është i pari nga partia e tij me më së shumti vota dallim nga numërimi fillestar, gjithsej 340 vota.
Kurse Lumir Abdixhiku, Xhavit Uka, Esra Myrtezani dhe Kujtim Shala kanë dallime në numra dy shifrorë.
Rinumërimi në Malishevë ka nxjerrë dallime të theksuara në vota edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
Kandidatit Valon Hoti nga kjo parti i janë zbritur 312 vota, i cili pasohet nga Gani Krasniqi me 271 vota të zbritura. Kurse Adnan Rrustemi, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë dallime të votave në numra dy shifrorë.
Pjesë e listës së dyshimeve për manipulim të votave në Malishevë është bërë edhe Nisma Socialdemokrate, e cila e konsideron këtë komunë si bastion të saj.
Vesel Krasniqit nga kjo parti i janë zbritur 264 vota, kurse Besjanë Mazrekut 145 vota. Ndërsa, Xhevahire Izmaku, Mevludin Krasniqi, dhe Fatmir Limaj kanë dallime nën 100 vota.
Kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kandidatit Enver Hoti i janë zbritur 128 vota, derisa kandidatët e tjerë të kësaj partie kanë dallime me dhjetëra vota.
Deri në orët e mbrëmjes, Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 1,142 vendvotime nga 2,557 sosh, derisa procesi është përmbyllur plotësisht në 11 komuna.