Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në Davos ka takuar presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam.
Osmani ka bërë të ditur se bashkë kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe mundësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik teksa i ka kërkuar edhe heqjen e vizave për kosovarët, njofton Dukagjini.
“Pas takimit tonë të parë në Singapor, dje në Davos pata kënaqësinë të takoja sërish Presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam. Diskutuam marrëdhëniet tona të shkëlqyera ndërshtetërore, mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare. Pas liberalizimit të vizave për qytetarët tanë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, propozova që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët tanë, një hap që do të forconte edhe më tej bashkëpunimin mes dy shteteve dhe do të afronte më shumë popujt tanë”, ka shkruar Osmani.
E para e shtetit, mes tjerash, bën të ditur se kanë diskutuar organizimin e forumit të përbashkët ekonomik, dhe rëndësinë e hapjes së kapitujve të ri të bashkëpunimit midis dy shteteve tona në fusha të shumta të interesit të dyanshëm.