Numri i viktimave nga zjarri që përfshiu një qendër tregtare në Pakistan është rritur në 67 persona, kanë konfirmuar autoritetet policore.
Sipas policisë, 77 persona janë raportuar aktualisht si të zhdukur nga familjet e tyre pas zjarrit në Gul Plaza, në qytetin më të madh të Pakistanit, Karaçi, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Shkalla e dëmeve nga zjarri – i cili u deshën më shumë se 24 orë për t’u shuar plotësisht – ka ngadalësuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit, ndërsa autoritetet po kontrollojnë në kompleksin prej 6,500 metrash katrorë.
Edhe pse disa nga trupat e gjetur janë vetëm mbetje të pjesshme, autoritetet kanë arritur të numërojnë 67 kafka, ka deklaruar për BBC-në zëvendëskomisioneri i policisë. Procesi i identifikimit të viktimave po vazhdon, ndërsa deri më tani janë identifikuar 15 persona.
Gul Plaza kishte rreth 1,200 dyqane të shpërndara në disa kate. Në Karaçi aktualisht është sezoni i dasmave, një periudhë zakonisht shumë e ngarkuar për blerësit.
Ndërsa shkaku i zjarrit mbetet ende i panjohur, dëshmitarë okularë i kanë thënë më herët BBC-së se mungesa e daljeve funksionale emergjente, si dhe dendësia e madhe e blerësve dhe tezgat e shumta të ngjeshura brenda ndërtesës, e përkeqësuan tragjedinë.
Dëshmitarët thanë se, për shkak se objekti pritej të mbyllej së shpejti, shumica e portave të qendrës tregtare ishin të mbyllura.
Një zyrtar i lartë i policisë, Syed Asad Raza, i tha agjencisë Reuters se nga 16 daljet e qendrës tregtare, vetëm tri ishin të hapura në momentin e zjarrit.