Pak më shumë se një vit nga përpjekja e dështuar, të enjten mbrëma Bashkimi Evropian arriti t’i ulë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në takim të përbashkët duke funksionalizuar Komisionin e Përbashkët për të Zhdukurit.
Zëvendëskryeministri në detyrë për dialog, Besnik Bislimi, i vlerësoi të suksesshme takimet që jetësojnë nisjen e punës së komisionit, që ka për qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të Deklaratës së Përbashkët për të Zhdukurit, të arritur më 2 Maj 2023.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, shkroi se Kosova kërkoi zbatimin e deklaratës, përfshirë qasjen në arkivat e klasifikuara të institucioneve dhe ushtrisë serbe, e po ashtu përshpejtimin e punës në terren.
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se Komisioni synon, siç u shpreh, “të hedhë dritë mbi fatin e personave të zhdukur, përfshirë ata me forcë”.
“Bashkimi Evropian ka pritje të mëdha që Komisioni i Përbashkët të kontribuojë ndjeshëm në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe të ndihmojë në mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur tepër gjatë për përgjigje”, u shpreh Sorensen.
Edhe pse dakordimin e vlerësuan lajm të mirë, referuar përvojës dekadëshe, në Fondin për Drejtën Humanitare në Kosovë, nuk kanë pritje të larta.
Drejtori i FDH-së në Kosovë, Bekim Blakaj theksoi se “fatkeqësisht ndër vite çështja e të zhdukurve është trajtuar më shumë si politike e se sa humanitare” dhe se kjo sjellë zbehje shprese e zhgënjim.
“Ne nuk jemi shumë optimist që do të zbatohet të gjitha pikat e Deklaratës së Përbashkët. Sigurisht disa prej tyre edhe mund të zbatohen, sic është përfshirja e familjarëve të viktimave në këtë proces, informimi më i mirë i tyre, ndoshta edhe për zhvarrosje, respektivisht gjurmimin e lokacioneve të dyshuara për varreza masive”, u shpreh Blakaj.
Edhe pse thotë se është mirë që palët pritet të takohen më shpesh, Blakaj është skeptik për çështjen e arkivave, pasi qasja e plotë në to do të nënkuptonte hapjen e rrugës për ndjekje ligjore.
“Mund të hapen dosje të caktuara të arkivave mirëpo të dhënat mbi zbardhjen e fatit të personave të zhdukur mund të mos jenë në këto arkiva, respektivisht elemente të caktuara mund të jenë larguar kohë më parë nga këto arkiva. E them këtë sepse kjo pastaj e tërheqë edhe përgjegjësinë penale”, tha Blakaj.
Më 2 Maj 2023, në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në e Deklaratën e Përbashkët për të Zhdukurit, u pajtuan që kjo çështje të trajtohet si humanitare dhe urgjente.
Megjithëkëtë, tek dy vjet e tetë muaj më vonë u arrit takimi i parë i Komisionit të Përbashkët – funksionalizimin e të cilit e kishte bllokuar Serbia, fillimisht duke refuzuar darkordimin për Termat e Referencës e më pas duke mos marrë pjesë në takimin e parë, konstitutiv.
Sipas Termave të Referencës, të dakorduara në Dhjetor 2024, në gjashtë muajt e parë nga funksionalizimi duhet të mbahen gjashtë takime – nga një secilin muaj.