Kanë kaluar dy javë prej kur mbeturinat janë marrë për herë të fundit në “Kodrën e Trimave”.
Situata qëndron e njëjtë edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit, në pjesën mbrapa teatrit por edhe në rrugën “UÇK”, njësoj siç ka qenë thuajse gjatë tërë vitit që lamë pas.
E këtë muaj, qytetarët thonë se faturat u kanë ardhur më të shtrenjta ndonëse shërbimi, nuk është kryer për pjesën më të madhe të muajit.
“Herën e fundit e morën sot një javë se ri javë rend nuk e kanë marrë. Që nuk pe marrin shpesh çka është puna nuk e di. Mua sa here më ardh fatura e kam pagu normal, pata s pata i kam pagu ama s’po vinë, se di ç’ka është puna e tyne. Ma kabull e boj me gju vet se me i prit këta, kot pe pagujmë”, u shpreh Fikret Berisha, banor i “Kodrës së Trimave”.
Të njëjtat shqetësime i pati edhe Skender Imeri, po ashtu banor i lagjes “Kodra e Trimave”.
“Shumë rrallë po vinë me marrë, njëherë në katër javë. Se di ku o problem. Qaq shumë po bohet sa që marre po t’vjen me kalu këndej. Kur është në kese të najllonit edhe qetë po vine. Faturat nap o duhet me i pagu gjithqysh. Këtu bile ka njerëz fukara që jetojnë, dua t’ja bëj një thirrje kryetarit, t’i rrinë pak ma gati”, tha ai.
Lidhur me këtë, Kompania Rajonale për grumbullimin e mbeturinave “Pastrimi” ka mohuar ngritjen e tarifave duke njoftuar se po zbaton rregulloren e Kuvendit Komunal të miratuar tri vite më parë, për kategorizimin e konsumatorëve.
Çmimi për amvisëritë rezidente është 6,20 euro ndërsa për jo rezidentët, mbi 17 euro.
Çmimet janë specifikuar edhe për bizneset ndonëse nuk ka ndonjë kriter në dokument për llojet e tyre.
“Tarifat janë miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, përmes Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave. KRM Pastrimi vetëm e zbaton këtë vendim institucional. Nuk ka një përqindje të njëjtë për të gjithë. Rritja varet nga kategoria e konsumatorit, pasi çmimorja e miratuar nga Kuvendi Komunal parashikon kategorizim të standardizuar për amvisëri dhe biznese. Zbatimi i çmimores aktuale nuk përfaqëson një vendim të ri operacional, por është pasojë e drejtpërdrejtë e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në dhjetor 2023 dhe e publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Kjo rregullore ka ardhur si nevojë për të reflektuar kostot reale të ofrimit të shërbimit publik, të cilat gjatë viteve të fundit kanë pësuar rritje të vazhdueshme”.
E nga Komuna, thonë se nuk bëhet fjalë për tarifa të reja për qytetarët.
“Qytetarët e kanë keqkuptuar ose nuk e kanë lexuar drejtë njoftimin e “Pastrimit”. Nuk kemi të bëjmë me rritje të çmimit ose ndryshime të tarifave për asnjë lloj përqindje por kemi të bëjmë me klasifikim. Është fjala kryesisht për subjektet ekonomike për bizneset që do trajtohen sipas rregullores dhe ligjeve përkatëse e që do paguhen bazuar në kategoritë që jetojnë. Bizneset që nuk kanë kontejnerët e vet, hedhin mbeturina në kontenjerët e amvisërisë ose deponi, do gjobiten por përtej saj, do sigurohemi të mbyllen”, deklaroi drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha.
Ndërsa për gjendjen aktuale, Brahaj thotë se janë angazhuar dy operatorë privat.
“Kemi qenë të detyruar të marrim hapa shtesë, fillojmë nga e hëna me shërbim shtesë, makineri shtesë dhe shpresoj që për një kohë shumë të shkurtë ta kthejmë gjendjen në një normalitet të pranueshëm pastaj të vazhdojmë punën me reformat e thella në ndërmarrjen “Pastrimi”. Kemi angazhu operatorë, dy operatorë m’duket në kohë gjashtë mujore, në vlerë deri 900,000 euro përafërsisht”, tha ai.
Për gjendjen në terren, “Pastrimi” ka deklaruar se ka formuar një ekip emergjent i cili është angazhuar maksimalisht ditëve të fundit në lagjet e pa pastruara të kryeqytetit.