Sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë lënë të paktën një të vdekur dhe 31 të plagosur gjatë natës deri të shtunën, ndërkohë që përfaqësues nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara pritej të mblidheshin në Emiratet e Bashkuara Arabe për ditën e dytë të bisedimeve që synojnë t’i japin fund pushtimit të plotë rus, që po hyn në vitin e katërt.
Sipas shefit të Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, Tymur Tkachenko, një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën nga sulmet me dronë rusë në kryeqytetin ukrainas, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, sulmet me dronë plagosën 27 persona, bëri të ditur të shtunën kreu i rajonit të Kharkivit, Oleh Syniehubov.
Sulmet ndodhën në kohën kur delegacionet pritej të takoheshin në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, për ditën e dytë të bisedimeve. Këto janë bisedimet e para të njohura ku zyrtarë të administratës së presidentit amerikan Donald Trump ulen në tryezë njëkohësisht me përfaqësues nga Ukraina dhe Rusia, në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të avancuar procesin drejt përfundimit të luftës që ka nisur gati katër vjet më parë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se bisedimet janë pjesë e përpjekjeve “për të nxitur dialogun dhe për të identifikuar zgjidhje politike për krizën”.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë e përshkroi ditën e parë të bisedimeve, të mbajtur të premten, si produktive.
Ukraina raporton sulme ruse, disa orë pas bisedimeve të para trepalëshe me SHBA-në në Abu Dhabi