Policia e Kosova ka gjetur sërish armë, municion dhe eksploziv në një shtëpi të braktisur në Zubin Potok.
Sipas njoftimit policor, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e Veriut, ka pranuar informacione se në një shtëpi të braktisur në fshatin Jagnjenicë, komuna e Zubin Potokut, dyshohej se mund të gjendeshin armë, municion si dhe eksploziv, njofton Dukagjini.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacionin e dyshuar, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar:1 pushkë e tipit M48, 244 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 karikatorë të zbrazët si dhe një sasi eksplozivi”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia për Trajtimin e Eksplozivit (EOD) të cilët kanë tërhequr eksplozivin në mënyrë të sigurt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar llojin e saktë të eksplozivit.
“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës në një shtëpi tjetër të pabanuar në Zveçan policia ka sekuestruar armë, municion dhe granata dore.
Policia gjen armë, municion dhe granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan