Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka pranuar kërkesat e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 23 personave, të dyshuar për vepra penale që lidhen me procesin zgjedhor.
Sipas njoftimit zyrtar, 21 të pandehur, në cilësinë e komisionerëve, dyshohen për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit.
Të njëjtit, me autorizime të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në cilësinë e anëtarëve të ekipeve të numërimit në QKN, dyshohen se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procesit të numërimit të votave.
Po ashtu, për një të pandehur (komisioner) kërkesa për paraburgim është pranuar për dy vepra penale: falsifkim i rezultateve të votimit dhe marrje ryshfeti.
Ndërkohë, për një të pandehur tjetër, në cilësinë e vëzhguesit, kërkesa për paraburgim është pranuar për dy vepra penale: kanosje dhe dhënie ryshfeti thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media dhe Publikun pranë Gjykatës Themelore në Prizren.
