Të prangosur dhe me fytyra të mbuluar, u sollën njëri pas tjetrit në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Një ditë pasi u arrestuan nën dyshimet se ishin pjesë e manipulimit të rreth 68 mijë votave në Prizren, ndaj një pjese të komisionerëve e vëzhgueseve u mbajtën të shtunën seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.
Njërit prej tyre iu përkeqësua gjendja shëndetësore, derisa ndihmë ofroi një ekip mjekësor.
E deri pasditen e së shtunës, Gjykata pranoi kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 23 të arrestuarve.
“Pra 21 të pandehur në cilësinë e komisionerit të dyshuar për veprën penale Falsifikimi i rezultateve të votimit. Një të pandehur (komisionere), për dy vepra penale: Falsifikimi i rezultateve të votimit dhe marrja e ryshfetit dhe për një të pandehur (në cilësinë e vëzhguesit), për dy vepra penale – Kanosja dhe dhënia e ryshfetit”, ka thënë Marcel Lekaj – Zëdhënës në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Seancat dëgjimore janë monitoruar edhe nga Avokati i Popullit.
“Kërkesa ime është që me e respektu prezumimin e pafajësisë sepse secili person që sot është fut me pranga në këtë derë të gjykatës derisa nuk e ka një vendim të formës së prerë është i pafajshëm dhe trajtimi duhet të jetë i tillë, ata duhet të konisderohen të pafajshëm por natyrisht hetimi duhet të shkojë deri në fund”, ka thënë Naim Qelaj – Avokat i Popullit.
Gjykata Themelore e Prizrenit pritet të marrë vendim gjatë orëve në vazhdim për caktimin e masës së sigurisë ndaj 23 të arrestuar për të cilët ka parashtruar kërkesë Prokuroria.
Një ditë më parë, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha pas aksionit për arrestimin e të dyshuarve, se manipulimi i votave nuk do të mund të realizohej pa një marrëveshje mes katër partive më të mëdha politike.
Mes të tjerash, Kryeziu nuk përjashtoi as mundësinë e ftesave për deklarim ndaj kandidatëve për deputetë, të cilët kanë përfituar më së shumti nga keqpërdorimi i votave.