Gjashtë rekomandime për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, nga Inspektorati Policor janë drejtuar për disa nga stacionet policore në 8 komuna të Kosovës.
Ky raport vë në pah se edhe më tutje nuk ka funksionalizim të ekipeve për të trajtuar rastet e dhunës në familje, e duke treguar edhe mangësi të tjera, mos vlerësim i duhur i rrezikut për viktimën.
“Komunikimi me Prokurorin e Shtetit po vazhdon të preferohet përmes telefoni. Kjo mënyrë e raportimit nuk duhet të përjashtojë raportimin me shkrim, i cili ka filluar të praktikohet kohëve të fundit. Janë hasur dosje që nuk kanë raport njoftues lidhur me dyshimin e arsyeshëm se është kryer vepra penale…Vlerësimi i rrezikut për viktimat nuk është realizuar në të gjitha rastet, në disa prej tyre po ashtu nuk është kryer sipas formës standarde të paraparë, që përmban indikatorë mbi të cilët kryhet vlerësimi.”– Raporti i Inspektoratit Policor të Kosovës
Madje në stacionin policor në Leposaviq që është njëra ndër stacionet e inspektuara, sipas raportit nuk ka asnjë zyrtar të trajnuar për të trajtuar rastet e dhunës në familje. Këtu përmendet edhe se në një sërë dosjesh mungon kriteri i aprovimit të zinxhirit komandues e mungesa e “dhomave mike” për intervistimin e viktimave.
“Jugu (Prishtinë), Drenasi, Leposaviqi, Zubin Potoku, Parteshi, Ranillugu e Kamenica kanë “dhoma mike”, hapësira këto që do ofrojnë ambient të përshtatshëm për këtë kategori të ndjeshme të viktimave të rasteve të dhunës në familje. Veriu (Prishtinë) nuk ka “dhomë mike”, kurse Mamusha ka ndarë këtë hapsirë, por nuk e ka funksionalizuar për shkak të mungesës së orendive dhe përshtatjes së ambientit.”-Raporti i Inspektoratit Policor të Kosovës
Ky raport i IPK-së që flet për vitin 2024 e gjendja aktuale tashmë është pranuar edhe nga Policia, që thanë se rekomandimet do t’i trajtojnë me prioritet.
“Policia e Kosovës ka pranuar zyrtarisht raportin e inspektimit nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Pas pranimit të raportit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme duke hartuar Planin e Veprimit, në të cilin janë përcaktuar masat konkrete dhe afatet kohore për adresimin dhe zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të IPK-së. Sa i përket organizimit strukturor, Policia e Kosovës, bazuar në strukturën e saj organizative, ka të funksionalizuara njësitë hetimore për hetimin e rasteve të dhunës në familje në stacionet policore. Megjithatë, rekomandimet e IPK-së do të trajtohen me prioritet, me qëllim të forcimit të mëtejmë të kapaciteteve njerëzore dhe rritjes së efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve. Në lidhje me dhomat mike, Policia e Kosovës ndër vite ka ndërmarrë veprime konkrete për funksionalizimin e tyre në stacione policore. Në ato stacione ku aktualisht nuk ka dhoma mike, janë siguruar hapësira të veçanta dhe të përshtatshme për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, deri në funksionalizimin e plotë të dhomave mike. Policia e Kosovës ka si plan të vazhdueshëm funksionalizimin e dhomave mike në të gjitha objektet policore. Vetëm gjatë vitit të kaluar, janë funksionalizuar dhe pajisur me inventar pesë (5) dhoma mike, prej të cilave dy (2) janë pajisur me inventar të ri , ndërsa tri (3) janë funksionalizuar si dhoma mike të reja.”– Policia e Kosovës
Mes tjerash në raport, thuhet se ka rënie të pranisë së mbrojtësve të viktimave e punonjësve të qendrave për punë sociale. Nga Zyra e kryeprokurorit të shtetit janë ankuar se ka numër të vogël të tyre, gjithsej 31.
“Ju njoftojmë se Zyra për Mbrojtjen e Viktimave nuk e ka pranuar zyrtarisht raportin e inspektimit të IPK-së, për rrjedhojë nuk ka qenë pjesë e procesit të inspektimit dhe as e adresimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit në fjalë. Sa i përket vërejtjeve lidhur me prezencën e mbrojtësve të viktimave, sqarojmë se kjo situatë lidhet kryesisht me numrin e kufizuar të mbrojtësve të viktimave në nivel vendi (gjithsej 31), në raport me rritjen e vazhdueshme të numrit dhe kompleksitetit të rasteve të trajtuara. Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave ka trajtuar 3,020 raste, prej të cilave 2,704 raste të dhunës në familje. Gjatë kësaj periudhe, mbrojtësit e viktimave kanë ushtruar përfaqësimin ligjor të viktimave në përputhje me nenin 64 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, duke marrë pjesë në 3,690 seanca gjyqësore dhe 829 seanca në Prokurori. Po ashtu, në nivel vendi janë adresuar në gjykata 1,190 kërkesa për masa mbrojtëse, 93 kërkesa për kompensim të dëmit dhe 173 kërkesa për alimentacion, me një vlerë totale prej 565,660.00 euro.”- Zyra e kryeprokurorit të shtetit
Inspektimi ka përfshirë disa stacione policore në Prishtinë, Drenas, Kamenicë, Partesh, Ranillugë, Mamushë, Leposaviq e Zubin Potok.