Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa 100% mbi mallrat kanadeze nëse vendi arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.
“Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, ajo do të goditet menjëherë me një tarifë 100% ndaj të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në SHBA,” shkroi Trump në Truth Social, shkruan BBC, transmeton Dukagjini/
Nuk është e qartë se cilës marrëveshje i referohet Trump në postimin e tij në rrjetet sociale veçse javën e kaluar, kryeministri i Kanadasë, Carney, njoftoi një partneritet strategjik me Kinën dhe u dakorduan për uljen e tarifave.
Në atë kohë, Trump e quajti këtë lëvizje “një gjë të mirë”.
Por tensionet mes SHBA-së dhe Kanadasë janë rritur ditët e fundit, pasi Carney tha në një fjalim në Davos se rendi botëror i udhëhequr nga SHBA-ja ishte çarë.
Carney gjithashtu u bëri thirrje fuqive të mesme që të bashkohen përballë shtrëngimit ekonomik nga fuqitë më të mëdha, edhe pse nuk e përmendi Trumpin me emër.
Trump iu përgjigj këtyre deklaratave në fjalimin e tij të nesërmen, duke thënë se “Kanadaja jeton falë Shteteve të Bashkuara.”
Presidenti amerikan gjithashtu e tërhoqi ftesën për Kanadanë që të bashkohej me Bordin e Paqes.
Të shtunën, Trump tha në postimin e tij në rrjetet sociale se nëse Carney mendon se do ta bëjë Kanadanë një ‘Port Shkarkimi’ për Kinën që të dërgojë mallra dhe produkte në Shtetet e Bashkuara, ai gabon rëndë.
Kanadaja ka kërkuar të zgjerojë tregtinë larg SHBA-së, partnerit të saj më të madh tregtar, pas pasigurisë së shkaktuar nga tarifat e Trumpit që janë vendosur dhe hequr herë pas here.
Sipas marrëveshjes së arritur javën e kaluar mes Carney-t dhe presidentit kinez Xi Jinping, Kina do të ulë taksat mbi vajin e kanolës nga Kanadaja nga 85% në 15% deri në mars, ndërsa Kanadaja do të taksojë automjetet elektrike kineze me normën e kombit më të favorizuar, 6.1% – nga 100% sa ishte më parë.
Marrëveshja u pa si një përparim i rëndësishëm pas viteve të marrëdhënieve të tensionuara dhe tarifave hakmarrëse, dhe mund të sjellë më shumë investime kineze në Kanada.
Carney tha se përparimi i bërë me Kinën e pozicionon Kanadanë mirë për rendin e ri botëror.