Zelensky: Bisedimet trepalëshe përfunduan në mënyrë konstruktive

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Dy ditë bisedimesh që përfshinë përfaqësues nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara u mbyllën të shtunën me diskutime konstruktive mbi parametrat e mundshëm për përfundimin e luftës, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Negociatorët do të kthehen në Emiratet e Bashkuara Arabe për raundin e ardhshëm më 1 shkurt, sipas një zyrtari amerikan, i cili i përshkroi takimet si optimiste dhe pozitive, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Këto bisedime përbëjnë rastin e parë të njohur kur zyrtarë nga administrata e Trumpit janë ulur në një tryezë me të dyja palët, si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të bërë përparim drejt përfundimit të pushtimit gati katërvjeçar të Moskës.

“Të gjitha palët ranë dakord të raportojnë në kryeqytetet e tyre për çdo aspekt të negociatave dhe të koordinojnë hapat e mëtejshëm me udhëheqësit e tyre,” shkroi Zelenskyy në Telegram.

Takimet mbuluan një gamë të gjerë çështjesh ushtarake dhe ekonomike dhe përfshinë edhe mundësinë e një armëpushimi përpara një marrëveshjeje, tha zyrtari. Ende nuk ka një marrëveshje për një kornizë përfundimtare për mbikëqyrjen dhe funksionimin e Centralit Bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë, i cili është i pushtuar nga Rusia dhe është më i madhi në Evropë.

Energjia e prodhuar nga centrali do të ndahet “në mënyrë të drejtë”, sipas zyrtarit, por kontrolli mbi të mbetet ende i pazgjidhur.

Zelenskyy, ndërkohë, tha se ekziston “një mirëkuptim për nevojën e monitorimit dhe kontrollit amerikan të procesit të përfundimit të luftës dhe garantimit të sigurisë reale”.

Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner morën pjesë së bashku me zyrtarë ukrainas, përfshirë kryenegociatorin Rustem Umerov dhe Kyrylo Budanov, shefin e stafit të Zelenskyt. Rusia dërgoi përfaqësues të inteligjencës ushtarake dhe të ushtrisë, sipas Zelenskyt.

Ndërsa Zelensky tha të enjten në Davos, Zvicër, se një marrëveshje e mundshme paqeje ishte “pothuajse gati”, disa pika të ndjeshme — veçanërisht ato që lidhen me çështjet territoriale — mbeten ende të pazgjidhura.

Sipas zyrtarit, i cili foli me gazetarët në Uashington në kushte anonimiteti për të përshkruar bisedimet private në Abu Dhabi, dukej se kishte momentum për të arritur në fazën e takimeve në nivel liderësh.

Vetëm disa orë përpara se të fillonin bisedimet trepalëshe të premten, Putin diskutoi një zgjidhje për Ukrainën me Witkoff dhe Kushner gjatë bisedimeve maratonë që zgjatën gjithë natën. Kremlini këmbëngul se, për të arritur një marrëveshje paqeje, Kievi duhet të tërheqë trupat e tij nga zonat në lindje që Rusia i ka aneksuar në mënyrë të paligjshme, por që ende nuk i ka pushtuar plotësisht.

Dita e dytë e bisedimeve u zhvillua ndërkohë që sulmet me dronë rusë vranë një person dhe plagosën katër të tjerë në kryeqytetin Kiev, sipas kreut të Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, Tymur Tkachenko. Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, sulmet me dronë plagosën 27 persona, tha të shtunën kreu rajonal i Kharkivit, Oleh Syniehubov.

“Me cinizëm, Putin urdhëroi një sulm brutal masiv me raketa kundër Ukrainës pikërisht në momentin kur delegacionet po takohen në Abu Dhabi për të çuar përpara procesin e paqes të udhëhequr nga Amerika,” shkroi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, në X. “Raketat e tij goditën jo vetëm njerëzit tanë, por edhe tryezën e negociatave.”

Shija e redaktorit

Kosova ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nënshkruan Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Osmani gjatë momentit...

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

Të fundit nga rubrika