Më shumë se 4,000 fluturime u anuluan në SHBA të shtunën, përpara mbërritjes së një stuhie gjigante dimërore, e cila tashmë kishte ndërprerë energjinë elektrike për më shumë se 230 mijë konsumatorë deri në Teksas dhe kërcënonte të paralizonte shtetet lindore me reshje të dendura bore.
Parashikuesit e motit thanë se bora, shiu i përzier me akull, shiu ngrirës dhe temperaturat jashtëzakonisht të ulëta do të përfshijnë dy të tretat lindore të vendit të dielën dhe gjatë javës, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Duke i quajtur stuhitë “historike”, presidenti amerikan, Donald Trump, miratoi të shtunën shpalljen e gjendjes federale të emergjencës nga fatkeqësitë natyrore në Karolinën e Jugut, Virxhinia, Tenesi, Xhorxhia, Karolinën e Veriut, Merilend, Arkansas, Kentaki, Luiziana, Misisipi, Indiana dhe Virxhinia Perëndimore.
“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe të qëndrojmë në kontakt me të gjitha shtetet në rrugën e kësaj stuhie. Qëndroni të sigurt dhe qëndroni ngrohtë,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Shtatëmbëdhjetë shtete dhe Distrikti i Kolumbisë kanë shpallur gjendje emergjence për shkak të motit, njoftoi Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
“Kemi dhjetëra mijëra njerëz në shtetet e prekura në Jug që kanë mbetur pa energji elektrike,” tha sekretarja e DHS-së, Kristi Noem, të shtunën.
“Ekipet e shërbimeve elektrike po punojnë për ta rikthyer energjinë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Departamenti i Energjisë të shtunën lëshoi një urdhër emergjent që autorizon Këshillin e Besueshmërisë Elektrike të Teksasit të përdorë burime rezervë të prodhimit të energjisë në qendrat e të dhënave dhe objekte të tjera të mëdha, me synimin për të kufizuar ndërprerjet e energjisë në shtet.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për një stuhi dimërore jashtëzakonisht të gjerë dhe me kohëzgjatje të gjatë, e cila do të sjellë grumbullim të përhapur dhe të rëndë akulli në Juglindje, ku priten “ndikime shkatërruese deri në katastrofike në nivel lokal”.
Meteorologët parashikuan temperatura rekord të ulëta dhe ndjesi termike jashtëzakonisht të rrezikshme që do të shtrihen më tej në rajonin e Rrafshnaltës së Madhe (Great Plains) deri të hënën.