Deri pas mesnate kanë zgjatur seancat për masën e sigurisë në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ndaj 23 personave të arrestuar nën dyshimet për dallavere me vota në këtë komunë.
Pas seancave dëgjimore, Gjykata në Prizren ka caktuar për të gjithë personat masën e paraburgimit.
Të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosja, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.
“Njëzetenjë (21) të pandehurve, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së. Ndaj një (1) të pandehure, A.V.,, i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 të KP-së, dhe marrja e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 të KP-së. Ndaj një (1) të pandehuri G.P., (në cilësinë e vëzhguesit) i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KP-së, dhe Dhenia e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 te KP-së”, thuhet nga gjykata.
Të premten 109 persona u arrestuan e më pas u dërguan në ndalim për 48 orë, lidhur me dyshimet për manipulim me vota në komunën e Prizrenit.
Meqë prokuroria në Prizren, kërkoi paraburgim vetëm për 23 nga ta, pjesa tjetër tashmë po lirohet nga masa e ndalimit.
Avokati Miftar Qelaj, mbron tre persona të arrestuar që tashmë janë liruar dhe tregon versionin që i thanë klientët e tij për këtë rast.
“Versioni i tyre është se kanë marr pjesë në numërim të votave kanë qenë anëtarë të komisionit gjatë ditëve cdo ditë është ndërruar komisioni nuk ka qenë në përbërje të njëjtë të personave ata kanë qenë anëtarë të Komisionit kryesisht kryesues të këtyre komisioneve kanë bërë monitorimin dhe kanë shfaq në ekran ndërsa këta si anëtarë të komisionit kanë pas për qëllim të mbajnë shënime dhe të përcjellin procesin e numrimit, të njëjtit kanë theksuar se janë të vetëdijshëm që kanë pasur kamera të sigurisë dhe procesi është monitoruar edhe nga kamerat, mirëpo cdo komision ka qenë i përbërë prej 5 anëtarëve, eventualisht 6 ndonjëherë…dyshojnë që dikush aty nga brenda ka mundur të bëjë manipulim..”, ka theksuar Miftar Qelaj – avokat i tre personave të arrestuar.
Ai ka kritika për trajtimin e tyre në ndalim.
“Për neve si mbrojtës ka qenë shqetësuese fakti se nuk kemi pasur informacione të mjaftueshme për klientët tanë fillimisht se ku i kanë dërguar pas ndalimit pastaj kemi marr infomata se gjininë femërore e kanë dërguar në qendrën korrektuese në Lipjan në një objekt që nuk ka qenë funksional për 7-8 vite dhe aty i kanë vendos dhe kemi me pa se në cfarë kushte kanë qëndruar për 48 orë”, ka theksuar Qelaj.
Sipas prokurorisë në Prizren, dyshohet komisionerët në Qendrën Komunale të Numërimit në Prizren i devijuan rreth 70 mijë vota të kandidatëve për deputetë, e që kjo u bë në koordinim mes komisonerëve të partive më të mëdha politike.