Me heshtje ka zgjedhur t’i përgjigjet shkresës së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, për zhvillimet e fundit në Këshillin Prokurorial ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Agron Qalaj.
Në letrën e siguruar nga Dukagjini, Shefi i Zyrës së BE-së, i është drejtuar Qalajt duke i shprehur zhgënjim se më 20 janar nuk u funksionalizua KPK, bazuar në ligjin e ri.
“Zyra e BE-së ka shprehur më herët dhe në mënyrë të përsëritur shqetësime serioze lidhur me vendime që kanë qenë proceduralisht të parregullta dhe madje të paligjshme, duke minuar zbatimin e reformës. Në dritën e kësaj, është për të ardhur keq që një qasje e dyshimtë ndaj qeverisjes demokratike të Këshillit, nën kryesimin tuaj, tani e ka penguar Këshillin të marrë mandatin e tij. Prandaj, ju bëj thirrje, në rolin dhe përgjegjësinë tuaj, të ndërmerrni të gjitha masat e nevojshme për të siguruar funksionimin e duhur të Këshillit”, thuhet në letrën e BE-së.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës në lidhje me këtë shkresë, por as se kur do ta thërras takimin e ardhshëm të KPK-së, meqë këtë ia kanë kërkuar edhe disa nga anëtarët.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se veprimet që bëri Qalaj në mbledhjen e kaluar janë në kundërshtim me ligjin.
“Në mënyrë të hapur dhe flagrante kryente shkelje procedurale duke keqintepretuar ligjin e KPK-së por edhe procedurat dhe rregulloret përkatëse të KPK-së, sa i përket mbarvajtjes dhe udhëheqjes dhe organizimit të takimeve dhe funksionimit të Këshillit Prokurorial, i njëjti si kryesues i vrejt që tentonte ta diktonte përmbajtjen e rendit të dites gjatë mbledhjes”, ka thënë Bugaqku.
Ai pret që Qalaj si udhëheqës aktual i KPK-së të reflektojë.
“Ti korigjoj ose të themi ti sanojë ato parregullsi të bëra në mbledhjen e fundit sepse votimi sa i përket propozimit nga radhët e një anëtari tjetër të Këshillit ishte në përputhje të ligjit dhe duhet të e thërras takimin e radhës dhe të e korigjoj gabimin e bërë në mbledhjen e fundit dhe të përpiqet që në mënyrë maksimale të garantojë funksionim efikas dhe maksimal të punës së Këshillit”, ka shtuar Bugaqku.
Këshilli Prokurorial i Kosovës është futur në një bllokadë të re, pas skadimit të mandatit të kryesuesit Ardian Hajdaraj, e disa prej anëtarëve, e që nga fillimi i vitit ka hyrë në fuqi edhe ligji i ri i KPK-së që parasheh reformë në këtë institucion.
