Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar Qendrën Inovative të Kosovës, ICK, me rastin e prezantimit të të dhënave të hulumtimit për sektorin e teknologjisë dhe komunikimit dhe ekonomisë digjitale nga Data4X.
“Me një rritje prej 386% e eksportit apo gati pesëfishim i eksportit të shërbimeve të TIK-ut në katër vitet e fundit, ekonomia digjitale dhe sektori i teknologjisë, janë sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit dhe njëherësh tregues për potencialin për t’u shndërruar në motor kyç të rritjes së mëtutjeshme”, u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij.
“Sektori i TIK-ut, së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, tashmë kontribuon me 6% në Bruto Produktin Vendor të vendit tonë. Për krahasim, bujqësia kontribuon me 7% dhe njëkohësisht rreth 15% të fuqisë punëtore në Kosovë. Por, rëndësia e tij shkon përtej punësimit direkt. Hulumtimet në vazhdimësi tregojnë se punësimi në teknologji ka efekt multiplikues, duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë”, tha kryeministri. Për këtë arsye, ai shtoi se mbështetja e rritjes së mëtejshme të sektorit të TIK-ut mbetet prioritet i qartë i Qeverisë sonë.
Kurti, përmendi një sërë investimesh që janë bërë në ekosistemin e inovacionit, siç janë, Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren dhe TechPark Prishtina, pastaj, anëtarësimi i Kosovës në programet Horizon Europe dhe Digital Europe, nisma OctoberTech, përmes së cilës mbështeten ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të teknologjisë në Kosovë – KOSICT, Doku.Tech, GrowthTank dhe Software Freedom Kosova, programet e trajnimit nga të cilat kanë përfituar mbi 5,000 të rinj dhe të reja në fusha të ndryshme të TIK-ut, dhe bursat në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, nga të cilat 85% të përfituesve janë vajza, ndër të tjerash. Ndërkohë që mbështetja për inovacionin në mandatin tjetër do të shtohet edhe përmes Fondit të Inovacionit, si dhe Kullës TIK (ICT Tower), e cila do të ofrojë hapësira të dedikuara për këtë sektor, njofton Dukagjini.
Ai shtoi se përkushtimi i qeverisë dhe progresi është njohur edhe nga Banka Botërore, e cila në Indeksin për Maturitetin e Teknologjisë Qeveritare (GTMI) e ka renditur Kosovën në Grupin A, përkrah vendeve lidere në qeverisjen digjitale, teksa kujtoi se sot platforma eKosova ofron mbi 320 shërbime elektronike per qytetarë dhe biznese.
“Të gjithë e mbani mend se para dy vjetëve, kemi kaluar nga Grupi C në Grupin B, ndërsa sivjet kemi kaluar nga Grupi B në Grupin A. Ky vlerësim na obligon që progresin e arritur ta vazhdojmë dhe ta thellojmë edhe më tej, duke u siguruar që digjitalizimi të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët dhe për bizneset. Kemi ende shumë punë përpara nesh, por me krejt çfarë dimë e mundemi, do të ecim sa më shpejt bashkë. Me një shtet të digjitalizuar dhe një sektor të fuqishëm të inovacionit dhe të TIK-ut, së bashku do të vazhdojmë ta ndërtojmë ekonominë e Kosovës, e cila ne besojmë që duhet të jetë e bazuar në dije”, tha në fund Kurti.