Mungesa e infrastrukturës, federatat sportive po derdhin mijëra euro jashtë Kosovës

Mungesa e një infrastrukture sportive të mirëfilltë vazhdon të mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballen federatat sportive në Kosovë. Edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, sportistët kosovarë detyrohen të zhvillojnë përgatitjet jashtë vendit, duke rritur ndjeshëm shpenzimet dhe duke kufizuar mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm.

Përfaqësues të federatave të ndryshme vlerësojnë se një qendër e përgjithshme sportive do të ishte zgjidhje afatgjatë, si për aspektin financiar, ashtu edhe për rritjen e cilësisë së sportistëve.

Sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli, vlerëson se Kosova posedon potencial të madh natyror për përgatitje sportive, por mungesa e një qendre të përbashkët i detyron federatat të shpenzojnë mjete të konsiderueshme jashtë vendit.

Demolli gjithashtu vë në pah se rritja e vazhdueshme e çmimeve të akomodimit dhe shpenzimeve tjera në Evropë, po e vështirëson organizimin e kampeve përgatitore jashtë vendit. Si pasojë, federatat janë të detyruara të reduktojnë numrin e sportistëve që marrin pjesë në këto përgatitje.

Sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi, thekson se për shkak të mungesës së infrastrukturës që i plotëson standardet, përgatitjet janë zhvilluar herë pas here në shtete të ndryshme të rajonit dhe më gjerë. Ai nënvizon se federata ka tentuar të krijojë kushte minimale brenda vendit, por buxheti i kufizuar nuk lejon organizim më të shpeshtë të stërvitjeve cilësore.

Ndërsa, kryetari i Federatës Skitare, Milam Kelmendi, vlerëson se mungesa e infrastrukturës ka ndikuar drejtpërdrejt në stagnimin e numrit të sportistëve elitarë në Kosovë. Sipas tij, pa investime serioze në objekte dhe kushte adekuate për përgatitje, Kosova do ta ketë të vështirë të rrisë numrin e garuesve në ngjarje të mëdha ndërkombëtare.

Drejtuesit e federatat sportive theksojnë se ndërtimi i një infrastrukture moderne sportive nuk është vetëm nevojë e sportistëve, por edhe investim strategjik për të ardhmen e sportit dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare./KP

Të fundit nga rubrika