Një person ka pësuar lëndime sot në Brezovicë si pasojë e një orteku bore.
Sipas njoftimit të faqes “Brezovica Info”, tre skiatorë kishin hyrë për të skijuar jashtë pistave të lejuara, veprim që dyshohet se ka shkaktuar ortekun, nga i cili njëri prej tyre mbeti i lënduar, njofton Dukagjini.
Dukagjini tentuar të marrë përgjigje nga Policia në Ferizaj lidhur me këtë rast, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Mes tjerash, në reagimin e kësaj faqeje, u është bërë thirrje të gjithë skiatorëve dhe ‘snowboarderëve’ që për sigurinë e tyre të qëndrojnë vetëm në pistat zyrtare dhe të shënuara.
“Sot, tre skiatorë të papërgjegjshëm kanë filluar të bëjnë ski jashtë shtigjeve zyrtare dhe të shënuara të skijimit, duke shkaktuar një ortek. Dy nga skiatorë janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa një skiator tjetër, me këmbë të lënduar, ka mbetur në majë të një shtegu të pashënuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të ekipit të shpëtimit në ski, skiatori i lënduar është transportuar në mënyrë të sigurt drejt ambulancës. Me këtë veprim, individët e papërgjegjshëm kanë rrezikuar jo vetëm jetën e tyre, por edhe jetën e shpëtimtarëve të Qendrës së Skijimit Brezovicë, të cilët janë ekspozuar ndaj rrezikut shtesë gjatë ndërhyrjes”, thuhet në njoftimin e tyre bashkë me pamjet e këtij incidenti.