Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për hetime lidhur me procesin e numërimit të votave në Komunën e Podujevës.
Në njoftim , Prokuroria ka bërë të ditur se ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me cenimin e të drejtës së votimit.
Sipas njoftimit, gjatë procesit të numërimit të votave janë evidentuar dyshime për parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në Komunën e Podujevës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
