Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka kërkuar falje publike ndaj viktimave të Jeffrey Epstein, duke pranuar se gaboi kur besoi deklaratat e Lord Peter Mandelson dhe e emëroi atë ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara.
Starmer e nisi një fjalim të planifikuar për financimin e komuniteteve lokale duke adresuar polemikat e fundit lidhur me mënyrën si u trajtua çështja.
Ai tha se edhe pse ishte e njohur publikisht se Mandelson kishte pasur lidhje me Epstein, askush nuk kishte kuptuar “thellësinë dhe errësirën” e kësaj marrëdhënieje, shkruan BBC.
Kryeministri u kërkoi falje drejtpërdrejt viktimave të financierit amerikan të dënuar për krime seksuale, duke thënë se i vjen keq për dështimin e njerëzve me pushtet që t’i mbrojnë ato dhe për faktin që ai vetë kishte besuar deklaratat e Mandelsonit.
“Jam i penduar që e emërova dhe nuk do ta kisha bërë këtë nëse do ta dija atë që di sot”, deklaroi Starmer, duke shtuar se Mandelson kishte dhënë informacione të pasakta gjatë procesit të verifikimit për postin diplomatik.
Sipas tij, dokumentet që pritet të publikohen do të tregojnë se Mandelson kishte minimizuar raportin e tij me Epstein, duke e paraqitur atë si një person që mezi e njihte.
Starmer tha se, pasi u bë e qartë se këto deklarime nuk ishin të sakta, ai vendosi ta shkarkojë nga posti.
Reagimet politike kanë qenë të ashpra.
Udhëheqësja e konservatorëve, Kemi Badenoch, e cilësoi pozitën e kryeministrit si “të paqëndrueshme”, ndërsa Liberal Demokratët kërkuan votëbesim për të testuar mbështetjen e deputetëve laburistë ndaj tij.
Gjithashtu, disa deputetë të Partisë Laburiste kanë kërkuar që Starmer të japë dorëheqje, ndërsa të tjerë kanë shprehur shqetësime në mënyrë private.
Ish-drejtori politik i Starmerit, Luke Sullivan, vlerësoi se kryeministri po lufton për të ruajtur postin, duke e cilësuar situatën si shumë serioze.
Ndërkohë, një nga viktimat e Epstein, Marina Lacerda, e vlerësoi kërkimfaljen e Starmerit si hap të rëndësishëm, duke thënë se shumë figura publike, sidomos në Shtetet e Bashkuara, nuk kanë kërkuar asnjëherë falje.
Qeveria britanike ka njoftuar se dokumentet që lidhen me këtë rast do t’i dorëzohen Komitetit Parlamentar për Inteligjencë dhe Siguri, i cili do të vendosë se cilat materiale mund të bëhen publike dhe cilat duhet të mbeten konfidenciale për arsye sigurie kombëtare ose diplomatike.