Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) njoftoi të dielën se personi i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të gjeneralit të lartë të inteligjencës ushtarake ruse, Vladimir Alexeyev, është arrestuar në Dubai dhe i është dorëzuar autoriteteve ruse.
Sipas hetuesve, gjenerali Vladimir Alexeyev, zëvendësshef i GRU-së – shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë – u qëllua disa herë në një pallat banimi në Moskë të premten. Mediat ruse raportuan se ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas sulmit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
FSB-ja bëri të ditur se një shtetas rus me emrin Lyubomir Korba është arrestuar në Dubai, nën dyshimin se ka kryer sulmin.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Ukrainën se qëndron pas tentativës për atentat, duke thënë se qëllimi ishte sabotimi i bisedimeve të paqes.
Ukraina i mohoi akuzat, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me incidentin.
Shefi i Alexeyevit, Admirali Igor Kostyukov, kreu i GRU-së, ka udhëhequr delegacionin rus në negociatat me Ukrainën që po zhvillohen në Abu Dhabi, të fokusuara në aspektet e sigurisë së një marrëveshjeje të mundshme paqeje.