Një gjykatë në Hong Kong ka dënuar të hënën me 20 vjet burgim biznesmenin dhe aktivistin pro-demokraci Jimmy Lai, pasi ai u shpall fajtor për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare në dhjetor të vitit të kaluar.
Ky është dënimi më i ashpër i dhënë deri më tani sipas ligjit kontrovers të sigurisë kombëtare, i cili sipas autoriteteve kineze është i domosdoshëm për stabilitetin e qytetit.
Lai, shtetas britanik dhe një nga kritikët më të zëshëm të Pekinit, njihet si themelues i gazetës pro-demokraci Apple Daily, të cilën e përdori si platformë për kundërshtim politik. Gazeta u mbyll pas presionit të autoriteteve.
Po ashtu, gjashtë ish-drejtues të Apple Daily u dënuan të hënën me burg, me dënime që variojnë nga gjashtë vjet e nëntë muaj deri në 10 vjet.
I cilësuar si hero nga lëvizja pro-demokraci, Jimmy Lai nga ana tjetër shihet si tradhtar nga Pekini.
Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke deklaruar se kishte mbrojtur vlera që sipas tij përfaqësojnë Hong Kongun, si sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes.
Kryeministri ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee Ka-chiu, e ka përshëndetur dënimin e Lai-t si “thellësisht të kënaqshëm”, duke i cilësuar veprimet e tij si “të rënda” dhe “plotësisht të neveritshme”.
“Në mënyrë të vazhdueshme, Lai ka përdorur Apple Daily për të helmuar mendjet e qytetarëve, për të nxitur urrejtje, për të shtrembëruar faktet, për të krijuar përçarje shoqërore dhe për të kërkuar sanksione nga jashtë kundër Kinës dhe Hong Kongut”, ka shkruar Lee në një postim në Facebook.
Sipas tij, dënimi i sotëm përbën “një moment të rëndësishëm në përpjekjet e Hong Kongut për të mbrojtur sigurinë kombëtare”.