Publikimi i dosjeve për Epsteinin konsiderohet i pamjaftueshëm

Departamenti amerikan i Drejtësisë (DoJ) ka njoftuar se ka publikuar të gjitha dokumentet që kërkohen nga “Epstein Files Transparency Act”, por disa ligjvënës në SHBA po e kundërshtojnë këtë, duke thënë se publikimi është i paplotë.

Në një letër drejtuar anëtarëve të Kongresit amerikan, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi dhe zëvendësi i saj Todd Blanche theksuan se janë bërë publike të gjitha “regjistrat, dokumentet, komunikimet dhe materialet hetimore” që ndodhen në posedim të DoJ-së dhe që lidhen me nëntë kategori të përcaktuara nga ligji.

Sipas tyre, asnjë dokument nuk është mbajtur i fshehur për arsye “turpi, dëmi reputacional apo ndjeshmërie politike”.

Megjithatë, përfaqësuesi republikan nga Kentaki, Thomas Massie, bashkautor i ligjit, kërkoi publikimin edhe të memorandumeve të brendshme që shpjegojnë vendimet e mëhershme të Departamentit lidhur me ndjekjen penale ose jo të Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtorëve të tij.

“Problemi është se ligji që kemi hartuar me Ro Khanna kërkon publikimin e shënimeve të brendshme, email-eve dhe dokumenteve për vendimet nëse do të hetohej apo ndiqej penalisht dikush,” tha Massie në një intervistë për ABC News.

Edhe përfaqësuesi demokrat nga Kalifornia, Ro Khanna, bashkautor i ligjit, akuzoi DoJ-në se po “ngatërron qëllimisht ujërat” duke mos sqaruar qartë kontekstin e përmendjes së emrave në dokumente.

Në listën e publikuar përfshihen emra të personave që “janë ose kanë qenë zyrtarë qeveritarë apo persona të ekspozuar politikisht” dhe që janë përmendur të paktën një herë në dosje. Sipas letrës, emrat shfaqen në kontekste të ndryshme – nga komunikime të drejtpërdrejta me Epsteinin apo Ghislaine Maxwell, deri te përmendje në dokumente apo artikuj mediatikë të përfshirë në arkiv.

Në mesin e emrave të listuar janë edhe Donald Trump, Bill Gates, Andrew Mountbatten-Windsor dhe Bill Clinton, të cilët kanë pasur marrëdhënie të dokumentuara me Epsteinin në të kaluarën. Nuk ka asnjë sugjerim se përfshirja e tyre në dokumente nënkupton fajësi dhe secili prej tyre ka mohuar çdo përfshirje në krimet e Epsteinit.

Lista përfshin edhe emra të personave të ndjerë, si këngëtarët Janis Joplin dhe Elvis Presley, gjë që ka nxitur kritika për mungesë sqarimi mbi kontekstin e përmendjes së tyre.

Ligjvënësit amerikanë kishin ngritur më herët shqetësime se disa dokumente ishin redaktuar në mënyrë të papërshtatshme para publikimit. Pas kritikave, të paktën një dokument u ribotua pa redaktime.

Avokatët e viktimave të Epsteinit po ashtu kanë deklaruar se në publikimin e fundit janë përfshirë gabimisht adresa email-i dhe fotografi nudo ku mund të identifikoheshin viktima të mundshme, raporton BBC.

Në atë kohë, Departamenti i Drejtësisë tha se gabimet ishin rezultat i “gabimeve teknike ose njerëzore” dhe se dokumentet problematike ishin tërhequr menjëherë.

Shija e redaktorit

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Të fundit nga rubrika